Thaçi: Po i afrohemi shumë pavarësisë
Çdo ditë jemi më afër pavarësisë, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Nju-Jorku, ku mori pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Thaçi paralajmëroi se javën e ardhshme do të shkojë në Bruksel dhe se gjithçka do të harmonizohet me përkrahjen ndërkombëtare. "Javën e ardhshme do të jem në Bruksel dhe natyrisht, gjithçka do të harmonizohet me partnerët tanë evropianë dhe ata amerikanë", tha Kryeministri. "Çdo ditë që kalon jemi më afër ditës së pavarësisë. Kërkohen edhe disa angazhime të respektimit të procesit dhe aspekteve procedurale, të cilat janë të domosdoshme për t‘u kryer", shtoi ai. Pyetjes nëse kjo do të thotë se kanë filluar konsultimet drejt shpalljes së pavarësisë, Thaçi iu përgjigj: "Natyrisht, ne jemi duke biseduar për gjërat konkrete të zyrtarizimit të pavarësisë së vendit, për fillimin e njohjes nga SHBA-të, vendet e BE-së dhe vendet e tjera përreth". Pas Fatmir Sejdiut si President, Thaçi është i pari Kryeministër kosovar që ka folur në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. "Me gjithë respektin për z. Tadiç, dy vitet e fundit të përshkuara nga dështimet e njëpasnjëshme të negociatave, konfirmojnë që Serbia dhe Kosova nuk do të mund të pajtohen kurrë për një bashkim mes tyre", ishin fjalët e Thaçit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku ndodhej edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç.
Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti Kryesuesin e Ekipit Planifikues të Bashkimit Evropian për Kosovë, z. Rey Reeve. Në këtë takim u bisedua për rrjedhën e procesit përgatitor të vendosjes së misionit civil të BE-së në fushën e sigurisë dhe të rendit ligjor në Kosovë. "E mira është që Zyra e Ekipit Planifikues të BE-së në Kosovë po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pasur një tranzicion sa më të lehtë në vendosjen e misionit të sigurisë në Kosovë, theksoi z. Reeve. Ndërsa, Presidenti i Kosovës theksoi edhe një herë mbështetjen e tij për vendosjen e këtij misioni. "Prania civile e Bashkimit Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të rendit ligjor në Kosovën e pas statusit dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës për gjithë qytetarët e saj", theksoi Sejdiu.
Athina
Greqia e vlerëson legjitim misionin civil evropian në Kosovë, pa një vendim të ri të Këshillit të Sigurimit. Në këtë mënyrë, Greqia i bashkohet aleatëve të saj evropianë për legjitimitetin e dërgimit të misionit civil evropian në Kosovë, që do të zëvendësojë UNMIK-un, në konjukturën më të vështirë të vendosjes së statusit dhe do të mishërojë në praktikë atë që thuhet se "Kosova është në radhë të parë çështje evropiane". "Në qarqet juridike dhe politike evropiane, ku aktualisht bëhen shumë diskutime për menaxhimin e situatës në Kosovë, gjykohet se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është e mjaftueshme për ndërmarrjen e një misioni të tillë", citohet të ketë thënë një burim i lartë i Ministrisë së Jashtme greke, duke e konsideruar të vetëkuptueshme gatishmërinë e Greqisë për t‘u përfshirë në të. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Dhimitris Kacudhas, pas takimit me dy ndihmëssekretarët amerikanë të Shtetit për Evropën dhe Ballkanin, Daniel Frid, dhe Rozmari Di Karlo, e radhiti Greqinë, së bashku me Spanjën, Sllovakinë dhe Rumaninë, ndër vendet që kanë rezerva ndaj pavarësisë së Kosovës, kur, sipas tij, shumica e vendeve evropiane janë të gatshme për ta njohur, transmeton DV. "E them në mënyrë të përsëritur se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës", ka theksuar ndërkaq shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, e cila është kujdesur që t‘i përmbahet kursit unik evropian dhe nga ana tjetër të kryesojë "një rezervim" rajonal me Sofjen dhe Bukureshtin, pa pasur vetë as iluzionin më të vogël për efektin e tij. "Nuk jemi ne ata që do të zgjidhim çështjen e Kosovës, nuk jemi ne ata që do të marrim vendimin definitiv", theksoi Bakojani, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtën e rolit aktiv në rajon të Greqisë.