Policia dhe fermerët, nis beteja për tokën bujqësore
Konflikti për një sipërfaqe toke në Komunën e Levanit të rrethit të Fierit ka shkuar deri në ndërhyrjen e uniformave blu të Komisariatit të Fierit, si dhe plagosjen e pesë fermerëve. Ndërsa ka qenë duke u zbatuar një vendim për prishjen e një muri rrethues të më shumë se 20 familjeve në Komunën e Levanit, punonjësit e komunës dhe fadroma e tyre nuk është lejuar, duke shkuar në përleshje me banorët e irrituar.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se kordoni i banorëve ka shkuar shumë pranë fadromës, edhe pse drejtuesi i kësaj të fundit kishte marrë urdhër për të përparuar. Duke qenë se rreziku i prekjes nga automjeti teknologjik ishte shumë pranë, është kërkuar ndërhyrja e uniformave blu të Fierit, të cilat si fillim nuk janë lejuar të ndërhyjnë në përleshje dhe më pas janë përfshirë në debat. Gjithçka kishte të bënte me një sipërfaqe toke, e cila më parë ka qenë rrugë dhe nga komisioni i ndarjes së tokës në Komunën e Levanit është shpërndarë si tokë bujqësore. Përfituesi i kësaj toke fizikisht do ta merrte atë, ndërsa banorët jo vetëm që kishin më shumë se 50 vjet që e kishin rrugë, por kishin ndërtuar dhe muret rrethues të banesave të tyre. Një sipërfaqe toke është kthyer në mollë sherri midis disa familjeve në lagjen ish-Aksionistët në Komunën Levan. Zyrtarisht mësohet se Komisioni i Tokës ia ka dhënë atë sipërfaqe shtetasit Pëllumb Fejzullaj. Ky i fundit, prej shumë vitesh ka arritur të zotërojë edhe dokumentin e pronësisë, madje dhe vendimin e dalë nga Këshilli i Komunës, i cili detyron mbi 20 familje fqinje me këtë shtetas të prishin muret rrethues për tokën që i takon atij. "Unë e kam me tapi tokën. E kam përfituar nga Ligji 7501 dhe fizikisht asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar. Kam kërkuar që komuna të ma kthejë tokën. Sot ajo po zbaton vendimin, por nuk lejohen as komuna dhe as unë", ka thënë Fejzullaj.
Nga ana tjetër, familjarët që preken nga shkatërrimi i mureve janë në proces gjyqësor. Ata shprehen se nuk do të lejojnë shkatërrimin e pronës së rrethuar me mur prej tyre deri në shpalljen e vendimit. "Kjo ka qenë historikisht rrugë për lagjen tonë. Është rrugë e lagjes së Aksionistëve në Komunën e Levanit. 50 vite kam unë që jetoj dhe e njoh si rrugë", ka thënë një prej banorëve në konflikt.
Policia dhe specialistë të komunës kanë shkuar dje për të zbatuar vendimin e datës 26 nëntor të vitit 2006 të këshillit të Komunës Levan për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë sipërfaqe toke, vendim i cili është miratuar dhe nga prefekti më datën 16 mars 2007. Por kanë hasur në kundërshtimin e banorëve. Secila palë këmbëngul se e drejta është në krahun e tyre. Dhe nxjerr shkresa e vula të lëshuara nga shteti. Nga ana tjetër, kalimi i sipërfaqes së tokës në emër të shtetasit Pëllumb Fejzullaj sjell bllokimin e rrugës kryesore, ku kalojnë të gjitha familjet e kësaj lagjeje.
Shkodër, nuk janë të kënaqur me shpronësimin për tokën ku do të kalojë unaza e qytetit
Banorët mbajnë të bllokuar rrugën për tre orë
Rreth 100 qytetarë të Shkodrës, të cilët banojnë në zonën ku po bëhen punimet për ndërtimin e unazës së qytetit, kanë protestuar dje për rreth tre orë, duke mbajtur rrugën e bllokuar. Shkak për këtë është bërë se banorët nuk pajtohen me vlerën e shpronësimeve që u ka vënë shteti, 4 mijë 500 lekë për tokë dhe 22 mijë lekë për shtëpitë. Protesta e banorëve, kësaj here e organizuar, ka filluar rreth orës 10.00 dhe ka zgjatur për tre orë. Gjatë kësaj kohe është mbajtur e bllokuar rruga e unazës ku po bëhen punimet. Protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore pa incidente. Banorët ndihen mjaft të revoltuar dhe të fyer me këtë masë kompensimi që ka vendosur shteti për tokën dhe banesat e tyre që do prishen, për t‘i hapur rrugë ndërtimit të unazës. Ardian Jahja, njëri nga banorët, shprehet se "toka me gjithë shtëpi që është me letra e tapi të rregullt të hipotekuar në kadastër më është vlerësuar 2.2 milionë lekë dhe me këto para nuk mund të ble shtëpi tjetër, as një dhomë e kuzhinë në pallat. Duke krahasuar çmimin e kompensimit të tokës, që është 2 mijë e 400 lekë, një tabak xhami blihet me 1 mijë e 200 lekë m2, ndërsa bashkia ka vendosur çmimin e tokës të barasvlefshëm me dy tabakë xhami. Përderisa shteti po më prish shtëpinë me letra krejt të rregullta po e lejoj që ta prishin, pasi shyqyr që po bëhet unaza, por jo të më lërë pa shtëpi mes rrugës me këtë kompensim". Të tilla shqetësime kanë me dhjetëra banorë të kësaj zone, të cilët nuk janë kundër ndërtimit të unazës, madje ata thonë që le të prishen shtëpitë e tyre, megjithëse i kanë të gjithë të hipotekuara, por shteti t‘u sigurojë të paktën shtëpi dhe jo të bëjë kompensime qesharake, duke lënë me qindra njerëz në mes të katër rrugëve. Në këto kushte, banorët që jetojnë pranë unazës kanë kërcënuar se do t‘i përdorin të gjitha mënyrat e format për të mbrojtur të drejtën e tyre, duke bllokuar punimet në unazë me protesta që do vazhdojnë çdo ditë deri në grevë urie. Unaza e Shkodrës ka nisur punimet më 31 gusht të vitit 2006, ku shiriti i inaugurimit të punimeve u bë nga vetë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke e klasifikuar si një nja nga investimet më të mëdha në këtë qytet me një fond prej 5 milionë eurosh. Punimet duhet të përfundonin më 31 gusht të vitit 2007, por kjo nuk u realizua, pasi projekti me të cilën nisën punimet kishte mangësi, pasi mungonin trotuaret e ndriçimi dhe është dashur hartimi i një tjetër projekti dhe një financimi shtesë.