Evropën ose Kosovën!
Nëse më 1999 Kosova u bë çështje e Perëndimit, mund të thuhet se tashmë ajo është padyshim një çështje planetare. E vetmja gjë në diskutim është se kush do ta gjejë zgjidhjen: Këshilli i Sigurimit (domethënë konsensusi) apo G-8-a (domethënë kompromisi). Shqiptarët janë të interesuar që zgjidhja të vijë nga Këshilli i Sigurimit, sepse i vetmi institucion ndërkombëtar që njeh pavarësinë si realitet është ky. G-8-a mund ta njohë pavarësinë vetëm si proces dhe kjo do të thotë një tranzicion tjetër për Kosovën dhe shqiptarët.
Perëndimi dhe SHBA-të kanë qenë shumë të qartë ndaj Beogradit: E ardhmja europiane e Serbisë është e kushtëzuar me pranimin e realitetit në Kosovë. Po kaq e qartë ka qenë edhe përgjigjja e Beogradit ndaj Perëndimit: "Nëse për hir të bashkimit me Europën ne do të jemi të detyruar të lëmë Kosovën, atëherë ju faleminderit, ne nuk duam të bashkohemi", pohoi një vit e ca më parë në Strasburg një prej autoriteteve më të larta politike serbe. Dhe vetëm dy ditë më parë ishin dy ministra të kabinetit "Koshtunica" që u tërhoqën me deklaratat e tyre për të ndjekur Artin e së Mundshmes. Një ditë pas përfundimit të vizitës së tij në Shqipëri, pikërisht një ditë pasi kishte pohuar solemnisht se SHBA-të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se "Time is now"; gjatë bashkëbisedimeve me mikpritësit bullgarë në Sofje, Presidenti amerikan G. W. Bush u shpreh sërish shumë qartë: "Pavarësia e Kosovës është një proces që nuk kthehet. Unë e kuptoj se kjo do të thotë që ndaj Serbisë të bëhen disa lëshime, me qëllim që ajo të mos ta ndjejë veten të lënduar: të pranohet më shpejt në Bashkimin Europian apo në NATO, për shembull. Nuk e di saktë çfarë duhet, por duhet patjetër një gjest miqësor yni ndaj Beogradit".
Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se e ardhmja e Beogradit, paraqitet si një dilemë historike dhe politike. Zgjedhja nuk ka shumë mundësi: Kosovën ose Europën. Të dyja mund të bëhen bashkë vetëm në një të ardhme të largët, që tani për tani mund të përfytyrohet si pjesë dhe vijim i romantizmit historik të Paneuropa-s së Shumanit dhe Romain Roland-it. Por deri atëherë duhet të kalojë shumë kohë. E ardhmja e Beogradit me Europën dhe Kosovën; e ardhmja e Shqipërisë me Europën e Kosovën, në kuadrin e Artit të së Mundshmes, mund të përfytyrohet vetëm atëherë kur kufijtë të jenë zhytur thellë nën tokë, jo të jenë zhdukur, sepse kjo do të ishte shumë utopike, por thjesht të kenë mbetur si mbijetoja treguese të një realiteti të shkuar. Meqë në Ballkan gjërat gjithnjë ndodhin "një ditë më pas" ("the last day") dhe zhvillimet realizohen rregullisht nën kujtesën e M. Prust-it, më saktë të titullit të librit të tij "Në kërkim të kohës së humbur"; romantizmat e vjetër nacionalistë dhe romantizmat e rinj europeistë duhet të presin "një kohë tjetër", derisa Arti i së Mundshmes të ketë krijuar vetëdijen e vet të re.
Nga ana e tyre, shqiptarët duket se kanë gjetur garantë të sigurtë të fatit të tyre dhe nuk kanë ndonjë shenjë për vramendje, se si do të vijë e ardhmja e tyre. Ata mendojnë se çdo pushtet tjetër, qoftë ky i UNMIK-ut apo i EUMIK-ut; çdo ushtri tjetër, qoftë kjo e KFOR-it apo e EUFOR-it; janë pakrahasimisht më të mira se pushteti ish-jugosllav dhe ai serb, se ushtria ish-jugosllave dhe ajo serbe. Ata betohen përditë se duan pavarësi dhe do ta shpallin vetë pavarësinë po të vonohet, por ata e kuptojnë se nuk është më koha për kanunizma të tilla. Këtë e këshilloi dhe vetë Nënsekretari i Shtetit, Nikolas Bërns, në një letër përgëzuese drejtuar Presidentit Fatmir Sejdiu të (LDK-së) dhe Kryeministrit Hashim Thaçi të (PDK-së), ditën e formimit të koalicionit qeverisës. Nëse do ta vinim re me kujdes këtë deklaratë përgëzuese nënsekretari Bërns jo pa qëllim thekson fjalët "paqe" dhe "durim" për liderët e këtij vendi, sepse kjo është rruga e vërtetë drejt zgjidhjes sa më të shpejtë të statusit përfundimtar të Kosovës. Dhe ata e dinë se në thelb, qetësojnë veten, duke lëshuar deklarata të tilla për pavarësi të njëanshme apo të tjera si këto, se sido që të vijë puna, ushtria amerikane nuk do të lëviz nga Kosova; se misioni përkujdesës dhe protektorati nuk do të largohen nga ky vend, pa qenë e qartë e ardhmja e saj. Për ta le të vijë kush të dojë, mjafton të mos rikthehet Serbia.
Për serbët çështja shtrohet më ndryshe. Megjithëse shenjat e një lëvizjeje europeiste atje janë të qarta, e drejta historike vazhdon ta kushtëzojë të drejtën politike. "Serbia s‘ka jetë pa Kosovën", "Srce dajem, Kosovo ne dajem", "S‘e lëmë Kosovën për Europën" dhe të tjera thirrje si këto, kushtëzojnë një pjesë të mirë të mendimit serb, sidomos atë pjesë që merr pjesë në bërjen e politikës ("politic macker‘s").
Prof. Shlomo Avineri i Universitetit Hebraik të Tel-Aviv-it, një prej politologëve më të shquar izraelitë të kohës së sotme, në një letër drejtuar miqve të tij serbë, duke iu referuar dy përvojave thelbësore me mundësi ndikimi në zgjidhjen e fatit të Kosovës, shqipton më mirë se vetë shqiptarët se cilat janë pengesat për të pajtuar Beogradin me Europën dhe Kosovën njëherësh; gjë kjo e vlefshme edhe në rastin e Shqipërisë, por meqë Tirana mendon si thonë të mëdhenjtë, me të drejtë kësaj nuk i përthirret, sepse nuk e sheh si ndonjë pengesë në procesin që pritet.
Studiuesi hebre Shlomo Avineri, njohës i shkëlqyer i zhvillimeve gjeopolitike dhe i historisë së federimeve, konfederimeve, secesioneve, pavarësimeve, vëren se ka një paralele historike midis fatit të vendit të tij, Izraelit dhe fatit të Kosovës. Izraeli e gëzoi të drejtën e vetëvendosjes vetëm 60 vjet më parë, pikërisht në mars të vitit 1948. Kosova gjendet në pragun e përmbarimit të një procesi që ka hyrë në rrugë të pakthyeshme. Izraeli u pavarësua si shtet me një vendim të OKB-së - Kosova gjithashtu gjendet në pritje të më së mirës, një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit, qoftë dhe me një zgjidhje që njofton fundin, por jo dhe vënien e kurorës sot. Izraeli doli në epokën e pavarësisë përmes një viktimizimi të paparë në histori. Mbi 6 milionë hebrenj iu nënshtruan Shoah, katastrofës më të madhe që ka njohur historia e njerëzimit. Kosova trokiti në epokën e pavarësimit, pasi i kishte kaluar të njëjtat prova të tmerrshme: shpopullimin, dëbimin masiv, etnocidin, krimin kolektiv. Izraeli ka përshtatur një klimë europeiste në sjelljen ndaj fqinjëve dhe po përpiqet ta bëjë Jerusalemin jo vendin e shenjtë të hebrenjve, por vendin e shenjtë të të gjithë atyre që besojnë në një hyj të lartë. Beogradi duhet të bëjë të njëjtën gjë: të ekzorcojë prej vetëdijes së vet tradicionale kompleksin e popullit të zgjedhur dhe mitin e Kosovës si Jerusalem i Kosovës. Për hir të sjelljes europeiste dhe të madhështisë së të vërtetës prof. Shlomo Avineri flak tutje edhe teoritë e mjegullta të bashkëkombësit të vet S. Huntington dhe teoritë e tij të një futurizmi pa të ardhme për përplasjen e qytetërimeve ("Clash of civilizations").
Por thelbësorja e mendësisë bashkëkohore të studiuesit hebre, i cili, siç e pohon edhe vetë, ka miq serbë e shqiptarë; është se Europa nuk mund të fitohet pa ndërruar mendje, domethënë pa ndërruar psikologjinë e sjelljes ndaj tjetrit. Ai i referohet rastit të konflikteve të pambarimta franko-gjermane, të cilat tani duket se i takojnë një bote muzeale. Mijëra vjet luftë e mospajtim për Alsas-Lorenë përjetuan francezë e gjermanë, gjersa me krijimin e mendësisë europiane të dyja palët pranuan se njerëzit duhet të lihen të lirë të shpallen si ndihen. Dhe çështja e Alsas-Lorenës me të vërtetë nuk ekziston më. Jo vetëm kaq, por pikërisht atje ku gjendej dikur popullsia e sherrit, ajo popullsi që fliste frëngjisht e gjermanisht njëherësh, në Strasburg, Europa e re ka ndërtuar tempullin e debateve politike.
Në të vërtetë, tejkalimi i sherreve ndërkufitare do të jetë ushtrimi më i vështirë i mendësive të popujve të Ballkanit Perëndimor, ose më saktë të asaj pjese të këtij rajoni që gjendet ende jashtë Bashkimit Europian. Një prej kritereve themelore të vlerësimit se koha e maturimit ka kaluar për një shtet kandidat për t‘u federuar me Europën është ky tejkalim. Rumania e dha provën e vet, me shuarjen e nacionalizmit të rremë për "pjesën e vet të jashtme", Moldavinë, dhe u bë anëtare e BE-së. Hungaria tejkaloi vështirësinë e "harrimit" të Transilvanisë, Bullgaria u përball me shumë dinjitet me sindromin "Maqedoni" dhe me sjelljen ndaj popullsisë myslimane, Beogradi ka Kosovën. Sa për Shqipërinë shtetërore, ajo jo e ka tejkaluar, por e ka harruar që ekziston gjysma tjetër e saj përtej kufirit të saj, sepse zgjedhja e saj është Europa, jo Kosova. Pikërisht ky pohim, që nuk shprehet tekstualisht në letrën e prof. Shlomo Aviner-it, me sa duket i jep atij të drejtën për të qenë më kritik dhe më i drejtpërdrejtë me miqtë serbë, të cilët nuk do të mund të flasin për një çështje serbe të zgjidhur pa e kthyer kryet nga Europa dhe pa e ndarë vetëdijen historike mitologjike prej Artit të Lartë të së Mundshmes.
Popujt janë si individët. Mirënjohjet nuk vdesin kurrë. Shqiptarët shpëtuan mijëra hebrenj të ardhur nga bota gjatë luftës antifashiste. Ata dëshmuan para botës se shmangia e katastrofës me emrin Shoah ka qenë e mundshme. Kjo mendësi ishte një paraprirje e mitit të vetëm të Europës së sotme, mitit të të drejtave të njeriut. Sot, pikërisht një zëdhënës i këtij populli i drejtohet ndërgjegjes së Beogradit ta shohë të ardhmen e vet me Europën dhe pa Kosovën, sepse në botën e ardhshme si përherë do të ketë të varfër e të pasur, të zinj e të bardhë, të krishterë e myslimanë, por do të ketë njëherësh një botë të hapur për të gjithë individët, të drejtat e të cilit do të jenë kult që zëvendëson të gjitha mitet historike.