Berisha qetëson akademikët: Nuk do t‘ua heqim shpërblimin
Akademikët nuk do të humbasin shpërblimin nga ndryshimet që pësoi ligji për Akademinë e Shkencave. Këtë e siguron kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, i cili iu ka dhënë një përgjigje publike anëtarëve të Asamblesë. "Qeveria ka marrë një vendim që në muajin prill, të shpërblejë personat me titullin Akademik, pavarësisht nëse janë Akademik Nderi, Akademik në Funksion apo Akademik i Përhershëm". Deklarata e tij vjen pas promemories që i dërguan përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave lidhur me ligjin që përjashton nga Asambleja të gjithë ata që janë mbi 75 vjeç. Por sipas Berishës, do të ketë një modifikim në këtë ligj, pasi shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter, por krahas kësaj është e domosdoshme që të ketë edhe Akademikë të Përhershëm". "Titullin Akademik i Përhershëm" do ta mbajnë somitetët kombëtarë, njerëzit me kontribute të mëdha, ndaj ne duhet të parashikojmë ekzistencën e Akademikëve të Përhershëm". Kështu u shpreh dje Kryeministri në mbledhjen e grupit të PD-së. Askujt nuk i hiqet titulli Akademik dhe trajtimi është identik pa asnjë ndryshim", sqaroi ai.
Gjithashtu Berisha konfirmoi se "ligji për reformën e Akademisë së Shkencave, parashikon ruajtjen e titullit Akademik i Përhershëm, ndërkohë që qeveria ka një vendim nëpërmjet të cilit shpërblen titullin Akademik". Në planin e shpërblimit nuk do të ndryshojë asgjë, por do të ndryshojë vetëm struktura e akademisë. Kështu, punonjës me rrogë në Akademinë e Shkencave do të jenë Kryetari i Akademisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë Asambleja. "Të tjerët pa përjashtim, të përhershëm apo në funksion, do të jenë në të njëjtin trajtim, pasi qeveria ka një vendim me të cilin do të shpërblejë dhe trajtojë titullin e Akademikut. Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim, pra është një ligj, i cili finalizon reformën përfundimtare, duke i dhënë zgjidhje edhe problemit për Akademikët e Përhershëm", përfundoi Berisha.