E Diel, 1 Nëntor 2026

Përurimi, palestër e re te "Qemal Stafa"

Një palestër e re sportive është përuruar dje, në shkollën e mesme "Qemal Stafa" në Tiranë. Kjo është ndër të paktat shkolla në kryeqytet që ka palestër, pasi investimet deri tani janë orientuar nga rikonstruksionet. Por me ndihmën e "Raiffeisen Bank", Bashkia e Tiranës ka mundur të realizojë këtë projekt. Qindra nxënës të kësaj shkolle tani do t‘i zhvillojnë orët e mësimit të edukimit fizik në një ambient të rregullt sportiv. Gjithashtu, banka ka premtuar edhe pajisjen e 5 palestrave të tjera në Tiranë. Kështu, projekti bën të mundur vendosjen në mjediset e brendshme sportive të pajisjeve të palestrave në 6 shkolla të kryeqytetit, përkatësisht në shkollat e mesme "Qemal Stafa", "Petro Nini Luarasi", "Partizani", "Sandër Prosi", "Besnik Sykja" dhe shkollën 9-vjeçare "Fan S. Noli", në vijim të përmirësimit të kushteve dhe rritjes së nivelit të shërbimit në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Grupi që punoi për realizimin e projektit përbëhej nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 3 të Qytetit, Drejtorisë së Përkujdesit Social dhe "Raiffeisen Bank". Ndërsa shiritin e përurimit e preu kryebashkiaku, Edi Rama, dhe përfaqësuesi i "Raiffeisen Bank", Robert Wright.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›