E Diel, 1 Nëntor 2026

Van Nistelroi: Me Barçën, pa frikë

Sipas sulmuesit Rud van Nistelroi, me katër pikë avantazh që Reali i Madridit ka në klasifikim ndaj Barcelonës, skuadra mund t‘i lejojë vetes luksin që të rrezikojë në përballjen e kësaj fundjave në "Nou Kamp". Të shtunën Barcelona arriti që ta ngushtonte diferencën në vetëm 1 pikë, pas fitores 3-0 në fushën e Valencias, por madrilenët u kundërpërgjigjën duke fituar 2-0 me Osasunën, 24 orë më pas. "Fitorja ishte gjëja më e rëndësishme, pasi ajo na dha mundësinë që në ‘Nou Kamp‘ të shkojmë me katër pikë avantazh", deklaroi holandezi, që është cilësuar si blerja më e goditur e Realit në këto vitet e fundit. "Me klasifikimin e tanishëm shkojmë në fushën e tyre për të luajtur pa frikë dhe për të zhvilluar një lojë sulmuese. Padyshim që kjo është një ndeshje e vështirë, por ideja se do të qëndrojmë në krye, pavarësisht rezultatit, na jep siguri". Në fushën e Valencias, me dy gola të shënuar nga Eto‘o, Barcelona bëri një nga paraqitjet më të mira jashtë fushe në këtë sezon, por zhgënjimi erdhi pas dëmtimit të Lionel Mesit, që është i detyruar të qëndrojë një muaj jashtë fushave. Argjentinasi është golashënuesi më i mirë i kampionatit me tetë gola dhe në përballjen e sezonit të kaluar në "Nou Kamp", të përfunduar 3-3, realizoi 3 golat e katalanëve. "Mesi është një lojtar thelbësor për Barçën dhe dëmtimi i tij është një humbje shumë e madhe, por ata kanë edhe Eto‘o, që menjëherë pasi u kthye nga dëmtimi, tregoi se është përsëri në formë", tha portieri i Realit, Iker Kasiljas. Fjalët e "gardianit" janë mbështetur plotësisht edhe nga trajneri kundërshtar, Frenk Rajkard, që vlerësoi lojën e sulmuesit kamerunas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›