E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaka merr "FIFA World Player"

Viti 2007 do të kujtohet gjatë për triumfin absolut të brazilianit Rikardo Kaka, i cili ka fituar thuajse gjithçka falë paraqitjeve të tij me Milanin. Liga e Kampioneve, Superkupa e Evropës dhe Kupa Interkontinentale me kuqezinjtë janë shoqëruar edhe me "Topin e Artë" dhe "FIFA World Player", dy trofe individuale që e kanë bërë atë lojtarin më të mirë të planetit. Çmimi i dhënë nga FIFA i është dorëzuar dje futbollistit në ceremoninë e organizuar në Zyrih, pasi ai ka rezultuar fitues pas votimit të bërë nga trajnerët dhe kapitenët e të gjitha ekipeve kombëtare. Normalisht, kjo e ka vënë atë edhe më shumë në qendër të opinionit sportiv botëror, ndërsa janë shtuar edhe zërat për një largim të mundshëm drejt Realit të Madridit që e kërkon me ngulm prej shumë vitesh. Por vetëm futbollisti ka përgënjeshtruar gjithçka, duke e cilësuar vitin 2007 si më të suksesshmin e karrierës dhe duke shpresuar që të përsëritet edhe në të ardhmen me fanellën e kuqezinjve. "Viti 2007 ka qenë perfekt për mua, një sukses i paimagjinueshëm. Jam i gatshëm të rinovoj me Milanin kontratën e re, pasi këto ndeshje të veçanta më afrojnë më shumë me klubin. A do të fitoja kaq shumë me Realin? Ajo skuadër ka fituar dhe do të vazhdojë të fitojë, por gjatë viteve të fundit kam parë shumë lojtarë të ndryshojnë skuadër, ndërsa unë jam në pritje të momentit të duhur për ta bërë një gjë të tillë. Të gjitha fitoret ia dedikoj Berluskonit dhe Leonardos", ishte deklarata e djeshme e Kaka. Në renditjen e "FIFA World Player", ai ka lënë pas argjentinasin Lionel Mesi dhe portugezin Kristiano Ronaldo, dy kundërshtarët e tij më të mëdhenj, që do të përpiqen që t‘i rrëmbejnë kurorën e më të mirit në vitin 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›