Mançini: Nuk kemi fituar ende
Megjithëse Interi po ecën me ritme të larta si në vitin e kaluar, trajneri Roberto Mançini është i bindur se këtë radhë do të ketë më shumë rivalitet dhe se titulli nuk është i sigurt. "Kampioni i mbyllur? Do të ishte mirë sikur të kishte qenë kështu, por nuk kemi mbaruar ende as fazën e parë. Gjërat po ecin në rrugën e duhur, por duhet të vazhdojmë kështu për një kohë të gjatë. Tani kemi përpara derbin, një sfidë e veçantë, e hapur për çdo rezultat, sidomos kur përballë gjenden skuadra të mëdha. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur, me dy ekipe që kanë lojtarë shumë të mirë dhe me dëshirën për fitore. Më e rëndësishme është që të jetë një derbi i bukur për tifozët. Çfarë do të kërkoj si dhuratë për festën? Lojtarët e mi po bëjnë maksimumin prej kohësh dhe ma kanë bërë dhuratën. Sigurisht, nëse arrijmë të mbyllim mirë dhjetorin, do të ishim më të gëzuar në janar. Do të na duhet të afrojmë lojtarë italianë prej rregullores së re të UEFA-s, por do të kërkojmë vetëm cilësi", u shpreh trajneri i Interit.