Shumaher fiton në "Garën e Kampionëve"
Mikael Shumaher duket se nuk ka ndër mend të tërhiqet lehtë nga garat, ndonëse zyrtarisht është në pension. Në "Garën e Kampionëve", të zhvilluar në stadiumin e Uemblit, Shumaher ka treguar edhe një herë klasin e tij, duke provuar se nuk ka harruar aspak se si garohet dhe fitohet. Gjermani ka arritur të sigurojë trofeun jo në garën individuale, por në atë "kombëtare", pas sfidave në makina për relli, rrugë dhe prototipe. Në dyshen e formuar me Sebastian Vetel, Shumi ka arritur të drejtojë Gjermaninë drejt finales, duke mundur anglezët Baton dhe Prio. "Nuk ka pasur topa futbolli dhe gola, ndaj për ne ka qenë më e thjeshtë të fitonim në Uembli", u shpreh me humor piloti gjerman pas këtij suksesi. Më pas ai ka arritur të mundë në finale Finlandën, për të cilën pilotonte Haiki Kovalainen. Në garën individuale, Shumi ka kaluar lehtësisht Solberg, Baton dhe Burde. Por në finale ai është mundur nga specialisti Matias Ekstrom.