Rama në Shkodër: Shqipërisë i duhet një udhëheqje e re
Shqipëria ka nevojë për një udhëheqje të re. Me këtë mesazh i është drejtuar dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, simpatizantëve në Shkodër, Bushat dhe Ana e Malit. Në fjalën e tij, lideri opozitar tha se është shumë e rëndësishme që sot të kuptojmë se 17 vjet janë mjaft. Sipas tij, nuk mund të lejojmë, që inercia e këtyre 17 vjetëve të na marrë edhe vite të tjera të çmuara të jetës sonë, duke na shkëputur akoma më shumë nga Evropa ku duam që të integrohemi. "Duke e thelluar akoma më shumë hendekun mes një pakice gjithmonë e më të vogël, që pasurohet në mënyrë marramendëse dhe një shumice gjithmonë e më të madhe, që varfërohet në mënyrë marramendëse", theksoi Rama. Ai shprehu angazhim për ndërtimin e një Shqipërie të re, moderne dhe sociale, Shqipëri evropiane, të cilën do ta ndërtojmë, jo thjesht duke u ankuar, por duke bashkuar energjitë tona morale, intelektuale, fizike e shoqërore, për të bërë të mundur realizimin e një projekti të ri. Kreu i socialistëve nënvizoi se i duhet dhënë jetë një bashkimi të madh, përtej kufijve të partive politike, përtej paragjykimeve që kanë mbajtur rëndom shqiptarët të ndarë në kampe, të cilat vuajnë po njësoj mungesën e dritave, mungesën e ujit, mungesën e çdo politike të arsyeshme për punësimin dhe mbrojtjen sociale të njerëzve. Ndërkohë, argumentoi ai, vetë politika është kthyer në një instrument përfitimi për të gjithë ata që popullin e përdorin si një alibi dhe që fushatat elektorale i kanë kthyer në fushata për përfitime industriale. "Unë dua që ne të gjithë të bëhemi të vetëdijshëm se kemi një mision dhe se ky mision i kapërcen kufijtë e partive politike. Ky mision është një mision përtej të majtës dhe të djathtës, kështu siç është sot e ndarë politika dhe kështu siç ajo sot i mban të ndarë njerëzit", këmbënguli Rama. Njerëzit, vlerësoi ai, duhet të bëhen promotorë të një bashkimi zemrash e mendjesh për një idealizëm të ri, për një patriotizëm të ri, për një rrugë të re dhe këtë rrugë të re ne do ta hapim duke kuptuar se këto probleme dhe plagë të rënda të trashëguara vit mbas viti, për shkak të një politike të vjetër dhe të dështuar, mund të zgjidhen e mund të mbyllen vetëm në qoftë se ne i japim jetë një politike të re.