E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Unë, Kryeministri që guxova të ngre çështjen çame

Gjatë një vizite në qytetin e Sarandës, Ilir Meta, deklaroi se është i vetmi ish-kryeministër që guxoi të ngrinte zërin për çështjen çame. Moment në të cilin kreu i LSI-së ka atakuar edhe ish-kryeministrin Nano, duke kujtuar deklarimin e tij se gjoja e kishte bërë prezente gjatë vizitës në Athinën zyrtare, gjë që është përgënjeshtruar nga zëdhënësi i Kryeministrit grek në atë kohë. Në këtë kontekst, Meta nënvizoi se "i vetmi Kryeministër që ka ngritur këtë çështje me autoritetet greke, mbetem unë". Meta i është kthyer qëndrimit të tij për këtë çështje, duke thënë se sado të bëjnë sikur kjo është një gjë e kapërcyer, çështja çame ekziston dhe ajo e do një zgjidhje, por duke u ngritur në mënyrë konstruktive. Sakaq, Meta u ndal te varfëria ekstreme që përjeton jugu dhe veriu i vendit, duke argumentuar se kjo vjen nga përqendrimi i investimeve në disa pika dhe se korrupsioni është më i madh se më parë, ndërkohë që Berisha erdhi në pushtet me flamurin antikorrupsion. "Qeveria aktuale nuk ka bërë tjetër, veçse ka certifikuar ato që opozita e djeshme ka denoncuar si afera", këmbënguli Meta. Ndryshimi i qëndrimit të Berishës për privatizimin e Telekomit dhe për veprën energjetike të Vlorës, kanë qenë dy nga konkretizimet që ai ka sjellë në argumentim të kësaj. Për të vijuar me shkatërrimin që i vjen Shqipërisë nga lejimi i ngritjes së fabrikave të çimentos me investitorë të huaj, si italianë etj. "As ata dhe as qeveria aktuale shqiptare nuk e bëjnë këtë se e duan Shqipërinë", vlerësoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›