E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme thërret ambasadoren e Maqedonisë: Hiqni barrierat

Pas disa ditësh qetësie, diplomacia shqiptare ka reaguar zyrtarisht për çështjen e bllokimit të vizave për shqiptarët nga ana e Shkupit zyrtar. Ditën e djeshme, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme ka thirrur në një takim ambasadoren e Maqedonisë në Tiranë, Bllogorodna Mingova Krepjeva, së cilës zyrtarisht i është përcjellë shqetësimi i qeverisë shqiptare. Ministria e Jashtme nuk e bën të ditur emrin e zyrtarit që ka takuar ambasadoren maqedonase, por bëhet fjalë për një drejtues shumë të lartë. Siç bëri të ditur një burim në Ministrinë e Jashtme, "Në takim pala shqiptare theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ku zgjerimi i hapësirave komunikuese përmes lehtësimit maksimal të lëvizjes së shtetasve është një dimension i rëndësishëm, për çka ne mbetemi tërësisht të angazhuar. E tashmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, përfshirë në kuadër të proceseve integruese ku jemi angazhuar, kërkojnë heqjen e barrierave e të kufizimeve të ndryshme dhe shtim të kontakteve mes njerëzve dhe aktorëve në tërësinë e fushave të aktivitetit.

Pala shqiptare i komunikoi asaj maqedonase angazhimin e saj për të vijuar sa më parë me bisedimet dypalëshe për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe që u përgjigjet stadit të marrëdhënieve, ashtu dhe nevojës në rritje për komunikim të zgjeruar". Megjithatë mësohet se takimi me ambasadoren e Shkupit, nuk ka qenë një "thirrje ceremoniale", por thjeshtë kortezial. Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka vepruar me notë zyrtare, pasi shpreson ta zgjidhë problemin e krijuar me negociata dypalëshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›