Drejtësi, opozita kërkon komision ekspertësh
Pas deklaratave pozitive dhe të gatshme për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, Komisioni i Ligjeve dhe ai i Medias, kanë nisur dje zyrtarisht diskutimin për realizimin e saj, duke i kthyer fjalët në vepra. Komisioni i Medias ka nisur diskutimin për disa ndryshime në Kodin Civil ndërsa Komisioni i Ligjeve diskutimin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Ndryshe nga sa ishte menduar, të dyja mbledhjet e komisioneve kanë zgjatur shumë pak. Anëtarët e tyre kanë qenë shumë "të lumtur" para mediave duke lënë të kuptohet se reforma në drejtësi do të realizohet shumë shpejt, por askush nuk tha qoftë edhe një fjalë të vetme se nga do të nisë reforma. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë prezent dje në komision, vetëm sa kanë përshëndetur fillimin e punës, duke u shprehur se institucionet që ata drejtojnë do të ofrojnë bashkëpunimin e tyre për realizimin sa më shpejt të saj. Këtë linjë ka ndjekur edhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, por ai ka hedhur një hap më tej, duke u kujtuar kolegëve të mazhorancës kushtet e opozitës për të vijuar bashkëpunimin. Xhafa ka theksuar se "opozita është dakord për konsensusin politik, por jo për pazare në kurriz të reformës". Me unanimitet të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, është pranuar propozimi i kryetarit Beja që katër deputetë, dy nga opozita, Isaraj dhe Peçi, dhe dy nga pozita: Trashani dhe Bumçi, të jenë relatorët për ndryshimet që duhet të bëhen në projektligjin për reformën në sistemin gjyqësor. Pranë këtij grupi pune të përbërë nga katër deputetë, do të punojë edhe një grup ekspertësh, si të Kuvendit, ashtu edhe të institucioneve të tjera përkatëse. Fillimi i punës duket i mbarë për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, por nga eksperiencat e mëparshme në politikën shqiptare, nuk zë vend shprehja "Fillimi i mbarë gjysma e punës", sepse zakonisht në momentet finale, palët nuk kanë dhënë konsensus, duke e minuar realizimin e reformave në vend.