E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie linjat e tensionit të lartë, vendi në errësirë

Moti i ftohtë dhe konsumi i madh i energjisë në vend ka shkaktuar atë që i druheshin më shumë të gjithë. Sistemi energjetik shqiptar nuk e ka përballuar dot ngarkesën e madhe dhe motin e keq në veri të vendit duke bërë që dy nga linjat më të rëndësishme që furnizojnë vendin me energji të pësojnë avari. Sistemi i Operatorit të Transmetimit (OST) njoftoi dje në orët e vona të mbrëmjes se linja Fierzë-Tiranë dhe linja 220 kilovolt Fierzë-Burrel janë stakuar duke e bërë pothuajse të pamundur furnizimin e vendit me energji elektrike. Për pasojë, në të gjithë territorin e vendit gjatë gjithë natës ka pasur ndërprerje të mëdha të energjisë. Ndërprerjet e energjisë do të jenë të çrregullta pa orare dhe vende të përcaktuara. Brigadat e OST kanë shkuar në vendet ku kanë ndodhur defektet, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë mbrëmjen e djeshme, për shkak të motit të keq. Korporata Eektroenergjetike Shqiptare shpreson që të arrijë të rregullojë defektin brenda ditës së sotme, megjithëse kjo do të varet nga situata klimaterike. Nëse do të vazhdojnë reshjet e borës me densitet të lartë, brigadat e KESH-it dhe ato të OST-së do ta kenë shumë të vështirë, gati të pamundur që të rregullojnë avarinë edhe brenda ditës së sotme. Kjo do të bënte që ndërprerjet e energjisë të vazhdonin me orare të zgjatura për një periudhë kohore të pacaktuar. "Situata është e rëndë, pasi dy linjat në fjalë transmetojnë energjinë e prodhuar nga hidrocentralet në veri të vendit, që janë dhe burimet kryesore të furnizimet me energji të vendit", thonë burime zyrtare nga OST.

Rrjeti

Rritja e konsumit të energjisë ka rikthyer edhe një herë debatin mbi atë se sa i aftë është rrjeti energjetik shqiptar për të furnizuar konsumatorët shqiptarë në periudhat pik. Pas festave të fundvitit, në vend janë rikthyer sërish kufizimet e energjisë. Nga ndërprerjet nuk ka mundur të shpëtojë as Tirana, ku energjia në lagje të tëra ka munguar përgjatë dy ditëve të fundit me gati 1 orë. KESH-i mohon se ka rikthyer kufizimet dhe thotë se ndërprerjet shkaktohen nga avaritë e ndryshme që ndodhin në rrjet, si pasojë e ngarkesës së lartë. Sipas të dhënave zyrtare nga korporata, gjatë ditës së djeshme konsumi i energjisë në shkallë vendi arriti në 23.5 milionë kilovat orë. Por, nga ana tjetër, disa ekspertë të opozitës deklarojnë se pretendimet e korporatës janë të pavërteta. "Në vitin 2004, rrjeti shqiptar ka përballuar një ngarkesë prej 26.7 milionë kilovat orësh, duke mos shënuar avari të rënda", thotë ish-drejtori i KESH-it, Andis Harasani. Por kjo shifër kundërshtohet zyrtarisht nga KESH që thotë se rekordi maksimal në vend ka qenë 25 milionë kilovat orë. Gjatë 10 viteve të fundit, në sistemin e transmetimit janë kryer investime në rendin e disa qindra milionë eurove, të cilat, sipas KESH-it, nuk kanë mjaftuar të garantojnë një siguri të lartë për furnizimin e vendit me energji elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›