Si e përdhunuan një të mitur në paraburgim
Një djalë 17 vjeç, i cili tashmë ndodhet në një prej burgjeve të sigurisë së ulët, është përdhunuar një vit më parë nga shokët e qelisë në dhomat e paraburgimit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Një dëshmitar i ngjarjes, i cili është liruar me amnisti të Presidentit Moisiu, tregon për gazetën "Shqip" si ndodhi ngjarja e rëndë, që është mbajtur e fshehtë nga autoritetet policore. Përdhunimi i të miturit pranohet në mënyrë indirekte edhe nga familjarët e tij, si dhe nga persona që punojnë në spitalin psikiatrik të Vlorës.
17-vjeçari A.H., banor i rrethit Fier, dy vjet më parë në zënkë e sipër qëlloi për vdekje një bashkëmoshatarin e vet. Pasi është dorëzuar në polici, ai është mbajtur në qelinë numër 13 të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier. Gjatë kohës së qëndrimit në këtë qeli ai ka qenë së bashku me 12 të ndaluar të tjerë. Shtetasi A.A., 19 vjeç, banor i një lagjeje periferike të Fierit, i cili ka qenë në atë kohë në qelinë numër 9, tregon për gazetën:
"17-vjeçari është përdhunuar nga dy djem më të rritur, njëri me banim në qytetin e Fierit, ndërsa tjetri nga një fshat. I mituri qante, por shokët e qelisë bërtisnin që policët të mos kuptonin çfarë po ndodhte. Unë, qelinë time e kisha përballë me atë të tyren dhe pashë gjithçka. Disa javë më pas, kur veprimet e tyre u kuptuan nga punonjësit e policisë, djalin e vogël e hoqën nga ajo qeli dhe e dërguan në qelinë numër 8. Por edhe në atë qeli atë e përdhunuan. Më pas, i mituri mori dënimin dhe u dërgua në burgun e Rrogozhinës".
Mësohet se pas përdhunimeve të përsëritura në dhomat e paraburgimit, fëmija me inicialet A.H. ka pasur probleme psikike. Kjo gjë është vënë re edhe prej familjarëve të tij. Në një kontakt me gazetën, prindërit e të miturit kanë pohuar: "Kur ka qenë për pesë muaj në burgun e Rrogozhinës, djali kishte shqetësime nervore. Ishte bërë shumë agresiv. Madje tri herë i kemi çuar edhe medikamente nga shtëpia. Kur i kërkonim ndonjë shpjegim ai na thoshte ta linim të qetë". Fëmija është dërguar gjithashtu për ekzaminime edhe në spitalin psikiatrik të Vlorës. Tashmë ai është larguar nga burgu i Rrogozhinës dhe është stabilizuar në një burg tjetër, ku ndodhet me bashkëmoshatarë të tij.
Nga ana tjetër, burimet nga Drejtoria e Policisë në Fier bëjnë me dije se për këtë rast ka nisur një hetim nga Avokati i Popullit. Ky institucion ka dërguar katër herë ekspertët e vet në Fier, për të mbledhur të dhëna lidhur me ngjarjen e rëndë. Për ngjarjen janë vënë në dijeni në vitin 2006 edhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, por çështja gjithsesi nuk u bë asnjëherë zyrtare dhe gjithçka u mbyll me transferimin e adoleshentit të dhunuar nga një dhomë e paraburgimit në tjetrën, e më pas në një burg të sigurisë së ulët.
Ky është rasti i tretë kur qytetarë të ndryshëm denoncojnë dhunën brenda mureve të Drejtorisë së Policisë së Fierit. Dy javë më parë, prindërit e një të mituri nga Patosi, i cili është transferuar në burgun e Vqarrit, denoncuan nëpërmjet gazetës "Shqip" keqtrajtimin e djalit të tyre në qelitë e paraburgimit, ku ishte i detyruar të qëndronte me të rritur.
Ndërsa një vit më parë, një grua 45-vjeçare, e arrestuar si e dyshuar për një vjedhje, ka denoncuar nëpërmjet gazetës "Shqip" dhunën dhe veprimet jo të hijshme të policëve. Ajo tha se gjatë marrjes në pyetje, në zyrat e policisë i është ngritur me forcë fustani dhe i janë ulur të mbathurat.