E Diel, 1 Nëntor 2026

Plehrat e Tiranës, në duart e drejtësisë

Plehrat e kryeqytetit do të vazhdojnë të "strehohen" të pashqetësuara edhe për shumë ditë me radhë në kontejnerët e vendosur nga Bashkia e Tiranës. Duket se zgjidhja për pastrimin dhe zhvendosjen e tyre është mjaft e vështirë, në një kohë kur tenderi për firmat e pastrimit është bllokuar. Aktualisht, kjo çështje do të ndiqet nga ana e prokurorisë. Burime zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës konfirmojnë faktin se faktor bllokues i tenderit për pastrimin e qytetit të Tiranës është bërë njëra nga firmat konkurruese. Përfaqësuesit e saj janë shprehur të pakënaqur për mënyrën se si janë zhvilluar procedurat tenderiale nga ana e Bashkisë së Tiranës. Madje, mësohet se kjo firmë është ankuar, duke akuzuar se po kryhen afera korruptive dhe firmat konkurruese nuk po trajtohen njëlloj, por ka favorizime. Për këtë arsye organizatorët e këtij tenderi kanë pezulluar punën, duke ftuar prokurorinë të kryejë hetime për këtë çështje. Përfaqësuesit e bashkisë janë shprehur të hapur për të vënë në dispozicion të drejtësisë të gjithë dokumentacionin aktual, në mënyrë që të mos komprometohet emri i këtij institucioni.

E derisa drejtësia ta zgjidhë këtë çështje dhe të vërë në vend "nderin e cenuar" të institucionit, mbeturinat urbane do të krijojnë male të tëra, pa përmendur këtu kutërbimin dhe ndotjen që ato shkaktojnë në mjedis.

Për pastrimin e qytetit të Tiranës, pas procedurave tenderiale zgjidhen dy firma fituese, të cilat ndajnë më pas edhe zonat kryeqytetase, që kanë nën përgjegjësi, jo vetëm për heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave urbane nga kontejnerët, por edhe për pastrimin e një pjese të rrugëve. Një tjetër ngarkesë e mban edhe Ndërmarrja e Punëtorëve pranë Bashkisë së Tiranës, që kujdeset edhe për pjesën e pastrimit e të gjelbërimit të kryeqytetit.

Gjendja në Tiranë është rënduar sidomos pas festave të fundvitit, ku edhe konsumi ushqimor ka qenë më i madh se sa në ditë të tjera të zakonshme. Në çdo kontejner shikon plehra të grumbulluara rreth e rrotull kazanëve, që nuk gjejnë më vend brenda tyre, por janë shpërndarë rreth e rrotull, ku jo në pak raste rrezikojnë të zënë edhe rrugën.

Banorët shprehen të shqetësuar se si do të zgjidhet "odiseja" e mbeturinave që konsumojnë. E sikur të mos mjaftonte historia e tejzgjatur e mbetjeve që depozitohen në zonën e Sharrës në Kombinat dhe ndotja e madhe ekologjike që ato shkaktojnë, tashmë "Sharra" është zhvendosur në çdo cep pallati apo kënd rruge. Zgjidhja mbetet në duart e drejtësisë, që pritet ta "studiojë" këtë rast, ashtu si edhe gjithë të tjerët, me procedura "të qeta" pa u shqetësuar shumë për malet e mbeturinave që rriten çdo ditë kërcënueshëm përpara syve të të gjithëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›