Policia: Rruga Tiranë-Kukës është e rrezikshme, evitoni udhëtimet
Reshjet e shiut të një nate më parë në zonat verilindore, të shoqëruara me temperatura mjaft të ulëta kanë krijuar një gjendje ekstreme akulli në të gjitha akset rrugore. Kështu, situata paraqitet tepër e vështirë në aksin Kukës-Tiranë, siç e cilësojnë burime të Drejtorisë së Policisë së Kukësit. Vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku, e përshkruan si kritike gjendjen e rrugëve pas reshjeve të fundit dhe shtresave të reja të akullit që kanë zënë ato. "Është e rrezikshme të lëvizet në akset verilindore, për shkak të akullit", tha ai dhe shtoi se kishte ngritur disa postblloqe për të ndaluar lëvizjen e mjeteve që transportojnë pasagjerë, deri në një orë kur moti të përmirësohej, për të shmangur "më të keqen". Postblloqet kanë kontrolluar në tërësi pajisjen e mjeteve me zinxhirë, si dhe gjendjen e përgjithshme si frena etj., përfshi edhe sistemin e ngrohjes. E njëjta situatë ka mbizotëruar edhe në rrugët e Pukës, Tropojës dhe Hasit, ku vetëm në orët e pasdites ka pasur një përmirësim të lehtë, që ka mundësuar lëvizjen e mjeteve me zinxhir. Aksidente nuk ka pasur, por pasagjerët tregojnë se ka qenë një tmerr i vërtetë të kalohet Qafa e Malit, ku sipas një udhëtari që kishte kaluar me furgon, "menjëherë pasi punëtorët hidhnin skorje shiu e bënte përsëri akull pasi temperatura në Qafë-Mali mbetej rreth -10 gradë Celsius. Për këtë arsye, policia ka këshilluar qytetarët të evitojnë udhëtimet në aksin Tiranë-Kukës dhe vetëm nëse e kanë të domosdoshme të lëvizin vetëm me mjete të pajisura me zinxhirë dhe në kushte të mira teknike.
Krahas përpjekjeve të policisë për të shmangur problemet në akset e rrugës nacionale, strukturat e tjera të pushtetit po mundohen t‘u vijnë në ndihmë banorëve të zonave të thella malore, të cilët mbeten të izoluar nga dëbora prej gati një jave.
Zonat e izoluara nga akulli dhe dëbora kanë marrë dje ndihma në ushqime me helikopter nga Tirana. Ndërkohë, shtabi i emergjencës i prefekturës së Kukësit, i mbledhur dje në mesditë, nxori në pah konfuzionin dhe moskoordinimin e qendrës me bazën lidhur me ndihmat në ushqime që ishin nisur nga Tirana, të proklamuara si kërkesë e pushtetit vendor. Në takimin e përmendur ku kanë qenë të pranishëm edhe deputetët Biberaj dhe Hoxha, u tha se pushteti vendor nuk kishte artikuluar asnjë kërkesë për miell dhe ushqime për fshatrat e izoluar, pa mohuar nevojën që mund të kenë banorët, por ata kishin kërkuar ndihmë në mjete për hapjen e rrugëve. Sipas njoftimeve, nga qendra për ndihmat qeveritare ishte dërguar një sasi mielli dhe vaji në Zapod, Kalis etj., pa ndonjë plan shumë të studiuar dhe madje edhe kundërproduktive. Dan Koloshi, kryetar i komunës së Zapodit, ka thënë në takim se ndihmat e dërguara në komunën e tij kanë krijuar thjesht sherr mes banorëve. "Çfarë do të bëjmë ne me 50 litra vaj dhe disa thasë mielli, kur qindra e qindra familje aty trajtohen me ndihmë ekonomike? Le të na ndihmojnë të hapim rrugën dhe të rrisin fondin e ndihmës. Këtë kemi kërkuar", tha Koloshi.