Policia "blindon" shkollat dhe diskotekat
Policia e Sarandës vihet 24 orë në shërbim të komunitetit. Kjo është ambicia që ka nisur të shoqërohet edhe me përmirësime të organizimit të shërbimeve, të cilat duket se po afrohen me kategori të ndryshme të popullsisë. Përparësi e shërbimit policor është përcaktuar qetësia dhe rendi në shkolla, si dhe heqja e mundësisë që diskotekat e qytetit të kthehen në vend spekulimi me pijet e forta. Për këtë, Leonard Muka, shef i rendit në Komisariatin e Sarandës, tha për "Shqip" se çdo ditë, nga e hëna në të premte, mjediset e shkollave mbahen në mbikëqyrje policore për më shumë se gjysmë ore, duke mos lejuar prishje të rregullit të kërkuar nga vetë nxënësit dhe stafet pedagogjike. Të paktën nga ora 07:30 deri në 08:00, në të katër shkollat e qytetit sigurohet fillimi i procesit mësimor, duke u hequr çdo mundësi elementëve problematikë dhe me precedentë. Në orët e vona të natës, në mbikëqyrje ka nisur të mbahen diskotekat e qytetit, duke bashkëpunuar me pushtetin vendor për licencat dhe oraret e funksionimit të tyre. "Nuk jemi kundër jetës së natës, por kundër spekulimit me vendet, ku përveç muzikës dhe argëtimit, përballemi edhe me sjellje joqytetare, që vijnë nga konsumi i tepërt i pijeve të forta", u shpreh Leonard Muka. Shkas për këtë, sipas tij, janë bërë disa episode të ditëve të fundit të vitit dhe javës së parë të vitit të ri, kur nga diskotekat janë shoqëruar disa persona për prishje të qetësisë dhe rendit publik.