Sot festohet dita e Ujit të Bekuar
Dita e 6 janarit festohet nga ana e besimtarëve të krishterë dhe katolikë si dita e Ujit të Bekuar. Hedhja e kryqit në ujë dhe nxjerrja e tij prej djemve më të fuqishëm është një ceremoni që festohet me shumë dëshirë dhe kënaqësi në të gjitha qytetet shqiptare, por edhe në mbarë botën, ku mbizotëron besimi kristian. Kjo ditë, sipas literaturës fetare kristiane, njihet si dita e bekimit të Zotit. Sipas Biblës, kjo ditë përkon me mbrëmjen kur tre dijetarë panë në qiellin e Betlehemit në Jerusalem yllin, i cili paralajmëronte lindjen e Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Të tre dijetarët, Melchiorri, Baldassari dhe Gasperi, u nisën nga vende të ndryshme për të parë dhe për t‘i ofruar dhuratat e tyre Jezu Krishtit fëmijë.
Me rastin e ditës së Ujit të Bekuar, organizohen mesha të cilat shoqërohen me lutje të ndryshme, me bekimin e ujit dhe marrjen e tij nga ana e besimtarëve, të cilët e ruajnë atë për gjatë një viti në shtëpitë e tyre. Për besimtarët, uji i datës 6 janar ka efekte shëruese dhe jo në pak raste ai përdoret prej tyre për të spërkatur fëmijët për një shëndet më të mirë apo të sëmurët që të rimëkëmben. Për besimtarët ortodoksë të Serbisë dhe të Rusisë, kjo ditë përkon edhe me ditën e Krishtlindjeve.
Në lidhje me këtë festë ka lindur shumë kohë më parë në disa vise të Italisë edhe legjenda e Befanës. Që atëherë kjo festë është bërë mjaft e rëndësishme dhe e shumëpritur sidomos nga fëmijët. Befana përfaqëson një plakë të shëmtuar, e cila tremb fëmijët me pamjen e saj, por në të njëjtën kohë ajo është zemërmirë, sepse u jep atyre dhurata të ndryshme.
Me mjaft seriozitet dita e ujit të bekuar festohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Berat e Elbasan, ku të rinjtë nxitojnë të hidhen në ujë për të nxjerrë kryqin, që më pas bekon këtë ujë.