Përkeqësohet situata në Qarkun e Dibrës
Përkeqësohet situata e rrugëve në Qarkun e Dibrës. Ndërkohë që pritej përmirësimi i situatës për zhbllokimin e rrugëve që mbajnë të bllokuara 7 komuna në këtë qark, dita e sotme ka gdhirë me reshje të reja dëbore, që edhe pse të dobëta, të shoqëruara me temperature të ulëta, nuk favorizojnë zhbllokimin e këtyre rrugëve. Kështu, rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, edhe pse është e kalueshme, në mjaft segmente të saj, si Qafa e Qenokut, Maranicë, Gurët e Skënderbeut, Qafa e Buallit etj., mund të kalohet nga automjetet vetëm me zinxhirë. Ndërsa vazhdon të jetë e bllokuar rruga nacionale Peshkopi-Kukës, ku me gjithë punën e bërë nga Drejtoria e Rrugëve, segmenti i kësaj rruge, ai Zall Dardhë deri në Reç, ka mbetur ende i bllokuar. Më keq, gjendja paraqitet në rrugët rurale, ku shumica e tyre janë të bllokuara, duke lënë në izolim të plotë 7 komuna dhe qindra fshatra. Komuna të izoluara vazhdojnë të mbeten Lura, Kalaja e Dodës, Sllova, Martaneshi, Trebishti, Macukulli dhe Xibri. Ndërsa në rrugët e tjera rurale, që lidhin qendrat e komunave me ata të rretheve përkatëse, mund të lëvizet me vështirësi, vetëm me zinxhirë. Një gjendje e tillë e rrugëve ka çuar edhe në shtimin e aksidenteve rrugore, që fatmirësisht kanë rezultuar pa humbje në njerëz.