E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania e Madhe, rregulla "të acarta" për emigrantët

Në mars të këtij viti sistemi emigrator në Mbretërinë e Bashkuar do të ndryshojë thuajse rrënjësisht. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë Sekretarja e "Home Office" ose ministrja e Brendshme britanike, Xheki Smith.

Specialisti i Emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, duke iu referuar materialeve zyrtare saktëson se në listën e ndryshimeve të pritshme, ata që goditen më shumë janë punëtorët e pakualifikuar, që u drejtohen kufijve të Britanisë së Madhe me ëndrrën për një jetë më të mirë. Këta punëtorë të padiplomuar dhe pa kualifikime të tjera në drejtim të edukimit të tyre, të ardhur nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian, nuk do të mund të gjejnë më hapësira në sistemin e ri të hartuar nga qeveria britanike. Kjo e fundit ka parashtruar në idenë e vet të ndryshimit të politikave emigratore preferencën për thithjen e sa më shumë punëtorëve të kualifikuar në fusha të ndryshme, ku ka më shumë nevojë Britania. Sekretarja Smith në këtë linjë u shpreh se qeveria duhet të baraspeshojë nevojat për emigrimin me nevojën për të kontrolluar kufijtë kombëtarë, duke deklaruar se MB duhet të sigurohet që vetëm njerëzit për të cilët vendi ka nevojë të lejohen të vijnë. Sekretarja e "Home Office" e MB, Xheki Smith, përvijoi disa nga kolonat e sistemit të ri emigrator të këtij vendi, në një fjalim të mbajtur në "The London School of Economics". Ajo trajtoi rregullat e reja të emigrimit, që do të hyjnë në fuqi duke filluar nga ky vit. Këtu do të përfshihen edhe kërkesa e njohjes së anglishtes nga kandidatët emigrantë, karta të detyrueshme identifikimi për shtetasit e huaj që jetojnë në MB, rregulla më të rrepta për të sjellë bashkëshortet e huaja atje, si dhe hollësira të sistemit të ri, bazuar në pikëzim.

Sistemi me kolona

"Ky sistem do të vihet në jetë në muajt e parë të vitit 2008, duke shpalosur qartë aftësitë që duam të tërheqim në MB, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë këta persona para se të vijnë këtu. Pesë nivele, apo "Kolona" do të mbulojnë kategoritë e ndryshme të aftësive për emigrantët kandidatë përtej Zonës Ekonomike Evropiane, me kritere të qarta të vendosura. Kjo do të bëjë që të ndahen se për cilët kemi nevojë dhe për cilët jo". Janë këto fjalët e ministres Smith. Ajo shpjegoi se Kolona 1 do të jetë për emigrantët tepër të kualifikuar, cilësitë dhe përvoja e të cilëve do t‘u mundësonte të ngrinin biznese të reja, apo të punonin në fusha tepër të specializuara. Kolona 1 do të zëvendësojë mes të tjerash Programin e Emigrantëve Tepër të Kualifikuar.

"Kolona 1 do të fillojë të funksionojë në mars të këtij viti. Ajo do të zëvendësojë tetë rrugë emigratore për sipërmarrës dhe titullarë biznesi. Kjo do të thotë se që të kualifikohesh për hyrje, të gjithë kërkuesit do të duhet të mbledhin pikë bazuar në aftësitë, kualifikimet, aftësitë në anglisht, statusin financiar dhe pajtueshmërinë me ligjin", shpjegoi Smith.

Ajo vazhdoi në përshkrimin e katër kolonave të tjera, duke deklaruar befasisht se Kolona 3 e paracaktuar për punëtorët me kualifikime të ulëta do të pezullohej. Raportimet e mëparshme në shtyp flisnin se në fakt do të ishte më e lehtë të vije në MB si punëtor jo shumë i kualifikuar, sipas sistemit të ri të pikëzimit, kryesisht falë nevojave për t‘u përgatitur për Lojërat e ardhme Olimpike.

"Kolona 2 do të jetë për punëtorët e kualifikuar për të plotësuar vende pune në sektorë, ku ka mangësi të punëtorëve rezidentë në fusha si inxhinieria, IT dhe arsimi. Kolona 3 mbulon punëtorët jo shumë të kualifikuar. Kështu, fleksibiliteti i sistemit provohet nga fakti se tashmë kemi marrë vendimin ta pezullojmë këtë nivel, pasi mendojmë se emigrimi nga BE po na ofron punëtorët për të cilët ka nevojë tregu ynë në këtë aspekt. Kolona 4 do të jetë për studentët ndërkombëtarë, që i sjellin përfitime kaq të mëdha MB-së, ndërkohë që ajo 5 do të mbulojë punëtorët e përkohshëm", vijon më tej Smith me shpjegimin e saj për sistemin e ri.

Skemat e emigrimit aktual, si ajo e Punëtorëve të Bujqësisë dhe Skema e Bazuar në Sektorë, do të anulohen kur të hyjë në fuqi Kolona 3. Industria e agrikulturës në MB, sipas ekspertëve të fushës, nuk mund të jetë e kënaqur nga ky vendim. Kjo, pasi ata mendojnë se BE-ja nuk mund të ofrojë punëtorë të mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e këtij sektori.

Skema e lançuar tani vonë e Të Diplomuarve Ndërkombëtarë do të zëvendësohet nga Kolona 4.

Smith deklaroi gjithashtu se Komiteti Këshillimor për Emigrimin do të asistojë qeverinë në identifikimin e sektorëve dhe profesioneve specifike, ku do të ketë mangësi të fuqisë punëtore.

"Këshillat e tij do të na ndihmojnë të vendosim se cilave aftësi u duhen dhënë pikë dhe cilave jo, kështu që ne do të mund të menaxhojmë emigrimin e punës efektivisht", u shpreh ajo.

Përfitimet

Ministrja Smith, pavarësisht shtrëngesave që do t‘i bëhen sistemit emigrator në Mbretërinë e Bashkuar, ka ngritur lart ndihmesën e emigrantëve për zhvillimin e Britanisë përgjatë të gjithë historisë së saj. "Historia jonë, ajo e vjetra dhe modernia, është e pasur me shembuj se si rritja ekonomike është mbështetur, madje e siguruar nga fuqia punëtore emigratore. Sot, punëtorët emigrantë po plotësojnë mangësitë e aftësive dhe po rrinë përkrah kërkesave të tregut të punës", u shpreh Smith. Ajo pohoi se "emigrantët po mbështesin shërbimet publike, duke punuar te Shërbimi Kombëtar i Shëndetit. Ata po krijojnë biznese dhe vende pune të reja. Kontributi i tyre fiskal neto është krahasimisht më i madh se ai i personave të lindur në Mbretërinë e Bashkuar".

Sipas Sekretares së "Home Office", nëse do të ndalohej, ashtu me një të rënë lapsi, emigrimi në Britaninë e Madhe, efektet negative do të ishin të rrufeshme.

"Vitin e shkuar, emigrimi kontribuoi me afërsisht gjashtë miliardë paund në rritjen ekonomike", tha Smith. Ajo shtoi se nëse emigrimi neto do të ndalohej, niveli i rritjes tonë do të binte me 5 për qind, madje që në të dy vitet pasues".

Sidoqoftë, sekretarja Smith u shpreh se qeveria duhet të baraspeshojë nevojat për emigrimin me domosdoshmërinë për të kontrolluar kufijtë kombëtarë. Ajo deklaroi se MB duhet të sigurohet që vetëm njerëzit për të cilët ka nevojë ky vend duhet të lejohen të vijnë dhe të jetojnë atje. Po kështu ajo shtoi se në vend të 80 rrugëve të vlerësuara për të ardhur në MB, siç ekzistojnë aktualisht, do të ketë vetëm një sistem të bazuar në pikëzim.

Detyrimi

Njohja e gjuhës angleze, kusht i panegociueshëm

Njohja e anglishtes do të jetë një kusht i panegociueshëm për autoritetet britanike, për të gjithë ata që duan të sigurojnë një të ardhme në këtë vend. Emigrantëve që bëjnë pjesë në Kolonën 1&2 do t‘u kërkohet të provojnë aftësitë në gjuhën angleze. Aktualisht, emigrantëve u kërkohet që të provojnë njohjen e anglishtes vetëm kur paraqesin kërkesë për leje të vazhdueshme qëndrimi, apo për marrjen e shtetësisë.

"Kjo nuk është kërkesë e bërë kuturu. Ne e njohim vlerën e emigrantëve që janë në gjendje të bëjnë përpara në MB, të integrohen në bashkësitë vendore, të mbrojnë vetveten nga shfrytëzimi. Zotërimi i rrjedhshëm i anglishtes i rrit shanset e secilit për t‘u punësuar me 1/5, duke pasur një ndikim të ngjashëm edhe në realizimin e të ardhurave", u shpreh sekretarja e "Home Office".

Smith tha gjithashtu se po propozon që bashkëshortet e emigrantëve të huaj që jetojnë në Britani duhet të provojnë një njohje bazë të gjuhës, nëse synojnë të sistemohen në këtë vend.

"Vitin e kaluar, afro 50000 njerëz u pranuan në MB si të fejuar, apo bashkëshortë. Mendoj se është e drejtë që tani ne duhet të realizojmë pritshmëritë tona, që ato të mund të flasin anglisht, para se të vijnë këtu", shpjegoi më tej Smith. A. Rr.

Kundërshtimi

Ndryshimet ligjore në tabelë qitje nga kritikat

Paketa e re me sistemin e ndryshuar për emigracionin në Britaninë e Madhe mendohet se do të ketë një numër shumë të madh kundërshtarësh dhe nuk do të arrijë të aplikohet aq lehtë nga ana e qeverisë. Një gjë e tillë u testua që në momentin e parë të prezantimit të saj nga sekretarja e "Home Office", Smith.

Gjatë "pyetje-përgjigjeve" që vijuan fjalën e Sekretares Smith u përvijuan disa prej pyetjeve "me spec". Filip Legraine, gazetar dhe autori i shkrimit "Emigrantët: vendi juaj ka nevojë për ata" ishte veçanërisht kritik, lidhur me rregullat e reja imigratore.

"Sipas Kolonës 1 ti ke nevojë për një diplomë universitare, që do të thotë se ke larguar një ‘Bill Geits të ri‘,tha Legraine. Kjo do të thotë, vijoi ai, se nëse Riçard Bronsoni (sipërmarrës multimiliarder britanik) do të kish lindur jashtë, nuk do të lejohej të vinte tek ne. Kjo do të thotë se babai i Barabak Obamasë, duke qenë një bari kenian dhish nuk do të lejohej të vinte. A nuk do të kish qenë kjo një humbje e madhe për Britaninë?". Kësaj pyetjeje Smith ju përgjigj duke deklaruar se ajo nuk besonte në mundësinë e krijimit të një sistemi emigrator, të besueshëm për njerëzit dhe të aftë të shmangë paragjykimet kundër emigrantëve. Po kështu, Smith tha se komponenti "investitorë" i Kategorisë së Kolonës 1 do t‘i mundësonte njerëzve, si Bill Geitsi të jepnin ndihmesë të vyer për MB. Përsa i takon babait të Obamasë, Smithi nuk bëri asnjë koment. Gazetari Legraine, po kështu kritikoi sistemin e Kolonës 2, veçanërisht rolin e Komitetit Këshillimor të Migrimit. "Lidhur me Kolonën 2, si vallë mund të presësh që një komitet i burrave të urtë të vendosin se ku ka mangësi në ekonomi, për të mos thënë se kur dhe ku do të përvijoheshin ato në të ardhnmen. Ky planifikim i fuqisë punëtore vdiq së bashku me Bashkimin Sovjetik. Nëse këtë e mendoni si ide të madhe, përse vallë nuk e zbatoni mes trevave të Britanisë", ishte pyetja e tij. Smith u pëgjigj se kishte arsye për të besuar se ekonomistët dhe të tjerë mund të përcaktojnë mangësitë në tregun e punës, duke u bazuar në të dhënat ekzistuese. Ajo tha se ky qëndrim nuk "ishte planifikim i centralizuar", por "një qëndrim i sofistikuar", duke e shfrytëzuar Komitetin për të përcaktuar se "cilat do të ishin fushat ku emigrimi, ndjeshëm dhe qartë do të sillte përfitime". Legraine po kështu shprehu shqetësimet e tij mbi planet e qeverisë për t‘i kërkuar karta identiteti të gjithë shtetasve të huaj, që jetojnë në Britani. "Së fundi, por vetëm nga radha dhe jo rëndësia, si mund të përcaktoni njerëzit se cilët janë këta të huaj? A nuk do t‘i shtynte kjo njerëzit që ndodh të kërkojnë, p.sh. persona jo të bardhë të frenohen dhe të kërkojnë që të provojnë se janë britanikë, pra nuk kanë nevojë të mbajnë të tilla karta. Si do të propozonit që të ndalet ky diskriminim?". Në një përgjigje, që ngjalli disa buzëqeshje cinike tek pjesëmarrësit, Smith deklaroi se qeveria ka në plan "të shtrijë sistemin e kartave të identitetit jo vetëm dhe thjesht për shtetasit e huaj..diçka për të cilën, tashmë jemi zotuar ta kryejmë.."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›