E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq, trafikantët e armëve me Kosovën

Tre persona në kohë dhe vende të ndryshme kryenin trafik armësh në Kosovë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë dosjen në ngarkim të të pandehurve Kujtim Laliçi, 46 vjeç, Blerim Sena, 22 vjeç dhe Zamir Zogu, 48 vjeç. Pas disa muajsh hetime, duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit, akuza ka zbardhur edhe linjën e trafikut, e cila fillonte nga mbledhja e armëve në Sarandë dhe përfundonte në qytetin e Fushë-Krujës. Më pas, armët transportoheshin në Kosovë. Sipas dosjes së akuzës, armët dhe municionet ishin mbetje të trazirave të vitit 1997. Për dy muaj me radhë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim konstant dhe përgjim. Agjentët kanë ndjekur tre të dyshuarit në qytetin e Sarandës dhe i kanë mbajtur nën vëzhgim gjatë të gjithë kohës. Në makinën e të pandehurve janë gjetur 14 arka të mbushura me fishekë automatiku, dy kallashnikovë, një "shot-gun", si dhe një pistoletë me silenciator, e mbushur e gati për të qëlluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›