E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nuk duhet të humbasim shansin historik për në NATO

"Ne nuk duhet të humbasim shansin e madh që historia po na ofron në prill të këtij viti, në Bukuresht, për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO". Ky ka qenë thelbi i mesazhit që Presidenti i Republikës ka përcjellë për Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë, gjatë pritjes tradicionale të organizuar dje në ambientet e Pallatit të Brigadave. Pas urimit për një vit të mbarë në punën e tyre, kreu i shtetit ka theksuar para trupit diplomatik se "Samiti i NATO-s, i Bukureshtit, dhe zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës, kërkojnë angazhim serioz dhe të përgjegjshëm të politikës shqiptare jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj partnerëve tanë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët ju i përfaqësoni". Ne, tha Topi, jemi të vendosur të anëtarësohemi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, "rruga drejt këtyre qëllimeve është detyruese dhe përkushtuese, por është e vetmja për të realizuar qëllimet strategjike dhe kombëtare të Shqipërisë, pasi është e vetmja rrugë për të përmbushur detyrimin ndaj qytetarëve tanë.

Për këtë qëllim, ka theksuar kreu i shtetit, koha nuk pret. "Të gjithë zyrtarët e zgjedhur të Shqipërisë: Presidenti i Republikës, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po ashtu edhe të zgjedhurit lokalë, duhet të këmbëngulin në procesin e reformave institucionale dhe sociale, sipas përgjegjësive të gjithsecilit. Vetëm vullneti politik nuk është i mjaftueshëm, por duhet lëvizja e mekanizmave institucionale, ashtu sikurse bashkëpunimi me të gjitha institucionet ndërkombëtare", është shprehur në fjalën e tij Presidenti Topi. Ne, ka theksuar Presidenti më tej në fjalën e tij, nuk duhet të mbyllim njërin sy për sa u përket problemeve. Shqipëria është një vend në tranzicion. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mjafton t‘i identifikosh problemet si: kriza energjetike, korrupsioni, çështja e pazgjidhur e pronësisë, problemet sociale. Ne nuk duhet të fshihemi pas faktit se këto janë fenomene rajonale apo globale, por duhet të pranojmë se këto janë edhe probleme shqiptare, gjithashtu, ndaj duhet të jemi njëlloj të suksesshëm në zgjidhjen e tyre. Gjithashtu, Presidenti Topi ka përshëndetur edhe masat e fundit lehtësuese të Bashkimit Evropian për lëvizjen më të lirë të qytetarëve të rajonit tonë, duke shtuar se ne vetë duhet t‘u ofrojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë një hapësirë rajonale pa paragjykime, ku burimet njerëzore, intelektuale, teknologjitë, mallrat dhe të mirat materiale lëvizin pa barriera të tepërta administrative dhe kufitare. Kjo është mënyra e vetme integruese e rajonit tonë në strukturat euroatlantike. Jashtë vëmendjes së Presidentit Topi nuk ka mbetur as çështja e Kosovës, e cila është në prag të statusit të pavarësisë. Ai ka deklaruar se "Kosova po ofron një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Zgjedhjet e fundit kuvendore dhe lokale, zgjedhja e Presidentit dhe procesi i krijimit të qeverisë së re të koalicionit, të dalë nga këto zgjedhje të lira dhe demokratike, dhanë garancinë më të madhe se Kosova është bërë tashmë një partner i besueshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në angazhimet e saj për të ndërtuar standardet e kërkuara të demokracisë dhe sigurisë në vend".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›