E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti dekreton zgjedhjet në Paskuqan

Më 24 shkurt, banorët e Komunës së Paskuqanit do të marrin pjesë në votime për të zgjedhur kryetarin e ri të tyre. Dekretimi i datës së zgjedhjeve për këtë komunë është bërë dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas njoftimit zyrtar që ky i fundit ka marrë nga Ekzekutivi, për humbjen e kryetari të mëparshëm të kësaj komune, Jashar Hoxha, i cili është ndarë para kohe nga jeta. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit të Republikës, ky vendim është marrë në bazë të nenit 92, germa "gj" e Kushtetutës dhe të nenit 14, pika 4 e ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar. Në nenin 14 të Kodit Penal parashikohet rasti i plotësimit të vendeve vakante në organet e zgjedhura. Në këtë nen thuhet se kur vendi i kryetarit të bashkisë ose komunës mbetet vakant, brenda dy javëve Këshilli i Ministrave njofton Presidentin e Republikës. Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë ose komunës, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit. Kur vendi i këshilltarit në këshillat e bashkisë ose të komunës mbetet vakant, ai plotësohet nga kandidati i radhës së listës shumemërore përkatëse. Në qoftë se vendi i kryetarit të bashkisë ose komunës mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në fund të mandatit. Zgjedhjet e pjesshme zhvillohen sipas së njëjtës procedurë si zgjedhjet e përgjithshme. Afate të cilat deri më tani janë shkelur nga Ekzekutivi, pasi i ndjeri ish-kryetari i Komunës Paskuqan është ndarë nga jeta që në muajin nëntor të 2007-ës. Këtë shkelje, gazeta "Shqip" e ka bërë publike duke i kujtuar Ekzekutivit se duhet të informonte institucionin e presidencës për humbjen e një kryetari komune dhe të kërkojë zëvendësimin e tij. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, kandiduan në Paskuqan dy persona. Gjin Prenkaj përfaqësonte koalicionin e partive të majta dhe arriti të marrë 3490 vota. Kandidati tjetër, përfaqësues i së djathtës, i ndjeri Jashar Hoxha, mori 4009 vota. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fitues kandidatin e së djathtës me avantazh më shumë se 600 vota. Tashmë, pas caktimit të datës së zgjedhjeve, forcat politike duhet të paraqesin kërkesat për përfshirje në garë dhe emrat me të cilët do të pretendojnë fitoren e tyre. Zgjedhjet në Komunën e Paskuqanit vijnë pas zgjedhjeve të pjesshme parlamentare që janë zhvilluar në Shijak, Pogradec dhe Tiranë në zonën numër 31. Në këto tri procese ka rezultuar fitues kandidati i së djathtës, ndonëse rezultatet janë kontestuar fuqishëm prej partive opozitare. Bazuar në rezultatin elektoral të 18 shkurtit 2007, të djathtët qeverisin numrin më të madh të komunave në të gjithë vendin, në krahasim me të majtët që drejtojnë bashkitë kryesore. Por sesi do të jetë rezultati në këto zgjedhje, nëse PD-ja do të mundë të rimarrë sërish drejtimin e kësaj komune, kjo mbetet për t‘u parë pas 24 shkurtit, kur të mbarojnë dhe votimet e pjesshme në Komunën e Paskuqanit. Në zgjedhjet e fundit zona e Paskuqanit është fituar nga Partia Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›