E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, kundër pagës minimale

Përfaqësues të industrisë më tipike shqiptare dyshojnë se vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale të çdo punëtori deri në 16 mijë lekë nuk paraqet realitetin e ekonomisë sonë. Edhe pse qeveria ka vendosur me ligj këtë pagë për çdo punëtorë biznesi i industrisë përpunuese shprehet se kjo skemë nuk përputhet me gjendjen ekonomike të ndërmarrjeve të tyre, ndaj dhe vendimi duket i pazbatueshëm. Ata i kanë dërguar qeverisë një paketë me propozime për të ulur kostot që vijnë, sipas tyre, nga rritja artificiale e pagës dhe prej disa ditësh janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare. Bizneset që punojnë me material gjysmë të gatshëm, pranojnë se do të vazhdojnë të paguajnë shumë nga punonjësit e tyre nën këtë nivel page, pavarësisht se vendimi i qeverisë për këtë pikë është i detyrueshëm. "Punonjësit tanë paguhen me normë dhe shumë prej tyre nuk e arrijnë këtë nivel page prej 16 mijë lekësh", thotë Edmond Rusmali, kryetar i Shoqatës Tekstile-Konfeksione.

Propozimet

Te bizneset me material të porositur nga jashtë, paga për punonjësit zë deri në 75% të kostos së prodhimit dhe çdo rritje e këtij zëri do të rëndonte bilancet e tyre. Për të kompensuar këtë efekt negativ, fasonistët i kanë dërguar zyrtarisht qeverisë një paketë propozimesh. "Ne kemi kërkuar që për një periudhë kohe prej 1 viti të na hiqen sigurimet për punonjësit që punësohen rishtazi, produktiviteti i të cilëve është minimal. Së dyti, kemi kërkuar që të paguajmë sigurimet për punonjësit tanë në bazë të pagës së tyre reale dhe jo në bazë të pagës që na imponon qeveria", thotë Rusmali. Sipas tij, paga faktike e punonjësve është mjaft e lehtë për t‘u vërtetuar, pasi tashmë pagat kalojnë përmes bankave. Kërkesa e tretë e fasonistëve ka të bëjë me përjashtimin e tyre për një periudhë 3 - 5-vjeçare nga tatimi i fitimit. Ata e argumentojnë këtë kërkesë me faktin se janë eksportuesit më të rëndësishëm në vend dhe se ndikimi i kësaj mase në buxhet do të ishte thuajse i papërfillshëm.

Eksporti

Bizneset e fasonit janë eksportuesit më të mëdhenj në vend me mbi 50 për qind të totalit të eksporteve. Por vitin e fundit, eksporti i produkteve me material gjysmë të gatshëm ka shënuar një rënie të ndjeshme, duke dhënë sinjalet e para për një krizë të mundshme. Sipas /////////Acit, pesha e kësaj industrie në eksportet shqiptare ra 47 për qind në vitin 2007 nga 55 për qind që ishte një vit më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›