Malësi e Madhe, një shkollë fshati mbijeton me vetëm katër nxënës
Në fshatin Mushtjerraj të rrethit të Malësisë së Madhe, nxënësit e shkollës fillore kanë braktisur shkollën dhe prej disa muajsh nuk zhvillojnë mësim. Shkak janë bërë kushtet tepër të vështira në të cilat gjendet shkolla. Nga dhjetëra nxënës që ka kjo shkollë, për të bërë mësim paraqiten vetëm katër prej tyre. Njëri nga nxënësit që shkon ende në shkollë është në klasë të dytë, dy në klasë të tretë dhe një në klasë të katërt. Së bashku këta nxënës zhvillojnë mësim në të njëjtën klasë. Bie në sy fakti se këtë vit në këtë shkollë nuk ka shkuar asnjë fëmijë në klasë të parë, një tregues ky që zona ka filluar fazën e analfabetizmit. Tashmë, në fshatin në fjalë shkolla mund të quhet totalisht e braktisur. Në shkollën në fjalë kushtet janë tejet të mjerueshme. Nuk ka dyer, dritare, si dhe mungon ngrohja. Kështu, nxënësit, së bashku me mësuesen, janë detyruar që t‘u vënë plastmasë dyerve dhe dritareve. Këta pak fëmijë, për të shkuar në shkollë ecin çdo ditë rreth 2 orë në këmbë, pasi nuk kanë as mjet transporti. Nxënësit janë tepër të shqetësuar nga situata e krijuar. Kryeplaku i fshatit Mushtjerraj, Kujtim Robaj, kërkon që në këtë shkollë të ndërhyhet sa më parë, pasi ndërtesa rrezikon të shembet dhe fëmijët të mbesin analfabetë. "Jemi ankuar disa herë në Drejtorinë Arsimore në Koplik, si dhe në komunë, por nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje", shprehet kryeplaku i fshatit. Një nga problemet më shqetësuese të arsimimit, sidomos në zonat e thella malore të Pukës dhe Malësisë së Madhe, është braktisja e shkollës në mënyrë të fshehtë, që do të thotë se këta nxënës shkojnë në shkollë vetëm në orën e parë, pastaj ikin, ose u figuron emri në regjistra, por shkojnë shumë rrallë në shkollë. Në të tilla kushte, këta nxënës, që janë kryesisht të arsimit 9-vjeçar dhe në fshatra, pavarësisht se figurojnë me emër në shkollë, nuk marrin asnjë dije. Kjo ka bërë që nxënës të tillë, edhe pse tani janë në klasat e larta, të kenë vështirësi në njohjen e germave, në bashkimin e tyre në rrokje, në formimin e fjalëve apo të fjalive. Djemtë përbëjnë shumicën e nxënësve me prapambetje të theksuar në mësime dhe ky është një fenomen rural që lidhet si me interesimin e pakët të familjeve për dijet që marrin fëmijët, ashtu dhe me numrin e madh të klasave të kombinuara.
Në këtë fenomen ndikon dhe niveli arsimor i mësuesve, veçanërisht i atyre që japin mësim në klasa të kombinuara. Në një studim të bërë nga Këshilli i Qarkut Shkodër në vitin 2004, rezultoi se në shkallë qarku ishin rreth 3700 nxënës që braktisnin shkollën në mënyrë të fshehtë dhe një numër i konsiderueshëm mësuesish (rreth 200), të cilët jepnin mësim pa pasur arsimin përkatës. Ndërkohë, në zonat e thella është problem më vete largësia e shkollave, pasi një shkollë shërben për disa fshatra që janë me orë larg nga njëri-tjetri. Nga ky studim ka rezultuar gjithashtu se duhet të ndërtohen rreth 30 shkolla të reja në zonat e thella malore, pasi nxënësit ecin me orë për të shkuar te shkolla më e afërt. Largësia e shkollave ka provokuar që nxënësit të mbesin analfabetë në zonat e thella malore, pasi në kohë dimri, për shkak të dëborës, rruga është e bllokuar.