Korrupsioni, sfida e Universitetit të Elbasanit
Rektori i sapozgjedhur i universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, Liman Varoshi, në një intervistë për gazetën "Shqip" tregon për problemet me të cilat përballet sot universiteti dhe shtjellon strategjitë që do të ndjekë gjatë mandatit të tij në krye të këtij universiteti. Përballë sfidave të prioriteteve të platformës së tij elektorale, reformës akademike, njësimit të diplomave dhe luftës kundër korrupsionit, Varoshi ndihet disi komod, përderisa vlerëson si më të mirët e zgjedhur në janar të këtij viti në tërë strukturën universitare të këtij institucioni të lartë arsimor. Në vazhdën e ripërtëritjes së traditës së Elbasanit si "djep i arsimit dhe i kulturës", kreu i këtij universiteti ka mundur të ruajë kolegjialitetin me stafin akademik sikurse frymën e bashkëpunimit me të zgjedhurit e rinj e rivalët e tij për postin e lartë të rektorit të këtij universiteti. Ndoshta si në sinkron me platformën e re akademike, mbetet edhe rikonstruksioni total i godinës universitare dhe mjediseve të brendshme, i pari i këtyre përmasave në historinë mbi 35-vjeçare të Universitetit të Elbasanit.
Cilat janë prioritetet e punës suaj në krye të universitetit?
Kur flitet për prioritete, kuptohet që ato nuk mund të jenë kurrsesi personale. Edhe gjatë fushatës, platforma ime e prioriteteve ka qenë dhe mbetet e lidhur me punë shkencore të tërë stafit, që kap hapësirën pesëvjeçare në vlerësim dhe të gjithë arritjeve gjer më sot. Dua të përmbledh shkurtimisht prioritetet e rektoratit që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë institucionale, thellimin e reformës, standardizimin e procesit vlerësues, përmirësimin e strukturave drejtuese e njësimin e diplomave me vlerën e tregut brenda dhe jashtë vendit tonë.
Si shpjegohet "tkurrja" e fakulteteve?
E preka pak më lart këtë. Gjithçka bëhet në dobi të efektivitetit të punës së pedagogëve dhe formimit të studentëve të diplomuar. Menduam që suprimimi i pak fakulteteve, duke iu bashkuar fakulteteve të tjerë të së njëjtës natyrë, nuk ka cenuar asnjë nga degët apo të nxjerrë jashtë procesit akademik ndonjë fakultet të veçantë. Aktualisht, universiteti ynë ka katër fakultete që mendoj se janë të konsoliduar pas pjesës së parë të reformës akademike. Nuk mund të qëndrojë në këmbë një fakultet vetëm me një, dy apo tre pedagogë me grada shkencore dhe të tjerët jashtë standardeve. Kjo ka qenë një nga arsyet. Dhe e dyta: dy fakultete me pothuaj strukturë të njëjtë akademike, s‘ka pse të qëndrojnë secili më vete.
Më konkretisht...
Fakultetin e Shkencave të Edukimit e kemi shkrirë në një me atë të Ciklit të Ulët dhe të Shkencave Sociale. Në atë të Shkencave Humane kemi futur degët e gjuhë-letërsisë, histori-gjeografisë bashkë me degën e gazetarisë, performanca e të cilave ka një emërues të përbashkët. Fakultetit të Shkencave të Natyrës i kemi bashkuar atë të Infermierisë dhe Fakultetin Ekonomik e kemi lënë siç ishte. Të gjitha mendoj se formësojnë të tërën e një universiteti që i ka vënë qëllim vetes zbatimin gradualisht të Kartës së Bolonjës, kërkesave bashkëkohore të ekonomisë kombëtare dhe njësimin e diplomave për të katër fakultetet, vlera e të cilave do të jetë në sinkron brenda vendit dhe jo shumë larg edhe jashtë vendit.
Ky universitet është përfolur shpesh për korrupsion. Mbetet një nga sfidat?
Natyrisht që është ndër më kryesoret. Si e gjithë shoqëria jonë transitive, ku korrupsioni për fat të keq është shndërruar në dukuri, edhe institucioni ynë nuk i ka shpëtuar kësaj "sëmundjeje". Ku më shumë e ku më pak, ku është amplifikuar edhe në media, por duhet ta pranojmë se përderisa flitet dhe përderisa kanë vepruar edhe organet e drejtësisë, ka ekzistuar apo edhe mund të ekzistojë. Në këtë aspekt, krahas disiplinës së stafit akademik, do të punohet për rritjen e rolit të këshillave studentore, duke kërkuar që të bëhen shembulli i luftës kundër dukurive abuzive. Po në këtë kuadër jemi në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore në Elbasan dhe ju garantoj se universitetin e këtij qyteti do ta heq nga "harta" e zezë e korrupsionit.