Eksportet, Shqipëria e fundit në rajon
Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë në tregjet ndërkombëtare, duke mos qenë e aftë të konkurrojë dot as me vendet e rajonit, që kanë një ekonomi të ngjashme si kjo e jona. Të dhënat e tregtisë me jashtë kanë nxjerrë sërish në pah dobësinë e bizneseve shqiptare për të shitur në tregjet e huaja. Eksportet, pavarësisht rritjes që pësuan gjatë vitit të kaluar, mbeten ndër më të ulëtat në rajon. Sipas Qendrës Shqiptare për Tregti me Jashtë gjatë vitit 2007, eksportet shqiptare vlerësohen në rreth 900 milionë dollarë me një rritje prej gati 26 për qind, krahasuar me një vit më parë. Por, pavarësisht kësaj, kjo shifër është 3 herë më e vogël nga eksportet e Maqedonisë dhe gati 4.5 herë më e vogël nga ato të Bosnjë-Hercegovinës, të cilat janë dy ekonomi të krahasueshme me ekonominë tonë. Shqipëria ka mundur të lërë prapa sa u takon eksporteve vetëm Malin e Zi, i cili gjatë vitit të kaluar eksportoi vetëm 700 milionë dollarë produkte në tregjet ndërkombëtare.
Eksportet
Por, sasia e ulët e eksporteve nuk është defekti i vetëm i tregtisë me jashtë të Shqipërisë. Ekspertët thonë se edhe struktura e tyre është e tillë që nuk i jep shumë përfitime ekonomisë shqiptare. Pjesa më e madhe, gati 55 për qind e eksporteve, përbëhet nga produktet me material gjysmë të gatshëm. Këto produkte marrin në vend vetëm një vlerë të vogël të shtuar dhe për rrjedhojë edhe pjesa e parasë që mbetet realisht në vend është thuajse e papërfillshme. Po kështu, edhe mineralet dhe nafta që përbëjnë një zë shumë të rëndësishëm të eksporteve tona administrohen plotësisht nga kompanitë e huaja. Për rrjedhojë, ekonomia shqiptare përfiton nga eksportet e tyre vetëm pagat që këto kompani u paguajnë punonjësve vendas dhe tatimet e derdhura në shtet.
Importet
Por situata është e njëjtë edhe në kahun tjetër, pasi edhe sasitë e produkteve që importon vendi ynë janë dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ndonëse tregu shqiptar është më i madh se ai maqedonas, kërkesa jonë për produkte nga jashtë ka qenë gati 50 për qind më e ulët nga ajo e fqinjit lindor. Gjatë vitit që lamë pas, produktet e importuara nga jashtë në vlerë u rritën me 26.5 për qind, duke arritur në 3.8 miliardë dollarë. Ndërsa në Maqedoni importet për vitin 2007 ishin 4.4 miliardë dollarë. Në Bosnjë, kjo shifër ishte plot 9 miliardë dollarë.
Hapja e ekonomisë
Gjithë kjo ka bërë që ekonomia shqiptare të jetë më e ngurta në rajon. Treguesi që mat hapjen e ekonomisë, si shpresa e vetme për të pasur çmime më të lira dhe më shumë përfitime të tjera për konsumatorët, është vetëm 48.4 për qind. Në Maqedoni, shkalla e hapjes së ekonomisë është 115 për qind, ndërsa në Kroaci kjo shifër është edhe më e lartë. Ekspertët thonë se kjo ndodh për shkak të pamundësisë së ekonomisë sonë për të eksportuar në arenën ndërkombëtare.
Treguesi i konkurrueshmërisë
Forumi Botëror Ekonomik e ka renditur Shqipërinë si vendin e fundit në rajon, për nga treguesi global i konkurrueshmërisë. Ky raport, që është një pikë e rëndësishme referimi jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe për institucionet ndërkombëtare, mat aftësinë e një vendi për të siguruar mirëqenie për qytetarët e vet. Sipas raportit të Forumit Botëror Ekonomik, vendi ynë ka bërë hapa prapa krahasuar me një vit më parë dhe renditet i 109 në listën e 131 ekonomive botërore. Në vitin 2006, Shqipëria ishte në vendin e 98.