E Diel, 1 Nëntor 2026

Fried: Pavarësia e Kosovës, fakt politik

Kosova është e pavarur, ky është fakt dhe historia duhet të ecë përpara. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, në vizitën e tij të parë në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, deklaroi disa herë se me gjithë situatën e komplikuar ligjore, Kosova tashmë është një shtet i pavarur. Pas takimit që zhvilloi me Presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu, nënsekretari amerikan u shpreh entuziast në lidhje me reagimin e lidershipit kosovar ndaj provokimeve të Serbisë. "Ka pasur disa provokime të ndryshme në veri, gjëra të tilla janë pritur, por lidershipi kosovar u është përgjigjur këtyre provokimeve me shumë maturi, gjë që ka bërë që edhe SHBA dhe 2/3 e BE-së ta njohin Kosovën".

Nuk ka ndarje

Nënsekretari amerikan i Shtetit ishte mjaft i prerë në deklaratën e tij rreth ndarjes së Kosovës. Duke u përgjigjur në lidhje me deklaratat e Vitali Churkin, ai tha prerë. "Ne nuk besojmë në ndarje. Në fund të fundit, sa më shumë që mendoni për të, aq më e pakuptimtë bëhet. Më shumë se gjysma e popullatës serbe jeton në jug të Ibrit. Edhe rusët zyrtarisht e kanë përjashtuar ndarjen brenda Grupit të Kontaktit. Por unë nuk do të fokusohesha shumë në disa fjalë të ambasadorit Vitali Çurkin ose të tjerëve. Unë do të fokusohesha në realitetin, i cili është se Kosova po i ndërton institucionet e veta dhe është një vend i pavarur. Pavarësia është një fakt. Ka natyrisht çështje dhe probleme në veri që kërkojnë zgjidhje dhe kjo do të marrë kohë", tha Frid. Sfida kryesore, sipas tij, tani mbetet ndërtimi i shtetit, për të cilin shumë kosovarë kanë luftuar për kohë të gjatë, shtet i bazuar në sundimin e ligjit, me institucione të fuqishme demokratike, për të gjithë njerëzit e tij, të pandarë, shtet me paqe të brendshme dhe me fqinjët, i cili do të ecë drejt Evropës.

Situatë e komplikuar

Një nga çështjet më të komplikuara në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë do të jetë edhe ekzistenca e Rezolutës 1244. Nënsekretari amerikan i Shtetit e cilësoi të tillë situatën ligjore në Kosovë, por nuk tha se kur do të mund të tërhiqet administrata e OKB-së. "Po, të punojnë së bashku për një zgjidhje. Kjo do të jetë një periudhë e komplikuar, por unë dua të theksoj se Kosova duhet të ndërtojë institucionet e veta dhe t‘i bëjë sa më funksionale që të jetë e mundur". Ai tha se UNMIK-u do të mbetet edhe një kohë për shkak të Rezolutës 1244, pasi Rusia e bllokoi punën në Këshillin e Sigurimit. "UNMIK-u do të mbetet në disa kapacitete këtu dhe pyetja logjike është se kush do t‘i largojë ata, por mund të them që komuniteti ndërkombëtar po përpiqet dhe po punon për këtë çështje. Por për kosovarët çështja më e rëndësishme është që ata janë të pavarur".

Dhuna ndaj ambasadave, e papranueshme

Të papranueshëm e quajti dhunën e protestuesve në Beograd ndaj disa ambasadave, përfshirë edhe atë të SHBA-së, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, përfaqësuesi i shtetit amerikan. "Disa nga aktet e fundit në Serbi, protestat në Beograd, sulmi ndaj disa ambasadave, ishin të dhunshëm dhe i papranueshëm". Ai tha se gjatë gjithë këtyre viteve Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë kosovarëve dhe do ta bëjmë këtë edhe në të ardhme. "Po, ka sfida serioze përpara. Problemet ekzistojnë dhe duhet të tejkalohen. Por, nëse kosovarët u qasen këtyre problemeve në frymën e bashkëpunimit dhe besimit, si dhe duke refuzuar nacionalizimin dhe urrejtjen, atëherë e ardhmja e mirë do t‘u takojë juve", tha Frid.

Shqipëria në NATO

I pyetur nga "Shqip", nëse Shqipëria do të marrë ftesën për t‘ju bashkuar Aleancës Veri-Atlantike, nënsekretari amerikan deklaroi se ky është një vendim që udhëheqja e NATO-s do ta marrë në Samitin e Bukureshtit. "Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh por nuk është një vendim i SHBA-së, është një vendim për të gjithë anëtarët e NATO-s. Danile Fried nga takimet e tij me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, doli me dy dhurata simbolike. I pari i dhuroi flamurin e shtetit të ri të Kosovës, ndërsa i dyti një pikturë që përfaqësonte daljen nga errësira në dritë, pra pavarësinë. Po kështu, falënderime të përzemërta për mbështetjen që SHBA i ka bërë dhe po i bën Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›