E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria braktis bujqësinë

Modernizimi i bujqësisë shqiptare, si shpresa e vetme për të pasur një stabilizim të çmimeve për produktet ushqimore në vend, por dhe një orientim të ekonomisë shqiptare nga prodhimi, duket se do të jetë shumë i vështirë. Ndonëse e ka konsideruar gjithmonë si një prioritet, qeveria shqiptare ka vendosur që ta lërë plotësisht në dorë të privatëve zhvillimin e këtij sektori. Ndryshe nga sa pritej edhe për vitin që vjen, fondet për bujqësinë do të vazhdojnë të mbeten në nivelet minimale. Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm, në vitin 2009, buxheti për Ministrinë e Bujqësisë pritet që të jetë vetëm 6.6 miliardë lekë, që përbën rreth 1.8% të buxhetit total të parashikuar për këtë vit ose e thënë ndryshe 0.6% e Produktit të Brendshëm Bruto. Ndonëse ka bujqësinë më të prapambetur në rajon, Shqipëria është njëkohësisht edhe vendi që jep mbështetjen më të pakët për këtë sektor. Krahasuar me Maqedoninë, një vend sakaq me një bujqësi shumë më të përparuar se e jonë, mbështetja që qeveria shqiptare jep është plot 5 herë më e ulët.

Subvencionet

Vitin e ardhshëm mbështetja me para në dorë për fermerët do të jetë po në të njëjtat nivele si këtë vit, me një rritje fare të vogël. Sipas PBA-së, për vitin 2009 fondi për të mbështetur me para në dorë fermerët shqiptarë do të rritet vetëm me 6.5 për qind, duke arritur në 1.15 miliardë lekë nga 1 miliardë që ishte për këtë vit. Kjo shifër është e barabartë me fondet që japin kontetë e 5 qyteteve amerikane për programin e mbrojtjes së ujqërve. Në total, bujqësia shqiptare jep sot rreth 22 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe punëson më shumë se gjysmën e forcës aktive të aftë për punë. Por, qeveria i kthen asaj në formën e financimeve vetëm 0.6 për qind të PBB-së, ose e thënë ndryshe 50 herë më pak se sa jep.

Kriza

Paralajmërimi i Kombeve të Bashkuara se do të ulin racionin e ndihmave ushqimore për vendet në nevojë nuk është një lajm i keq vetëm për vendet në varfëri ekstreme si Afganistani apo Etiopia, të cilat plotësojnë nevojat e tyre për "bukë" pikërisht nga ndihmat e OKB-së. Ekspertët thonë se ky është sinjali i parë, që tregon se bota po zhytet tashmë në një situatë të rënduar ushqimesh. Këtë fakt e tregon më së miri edhe rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë në treg. Kërkesa ndërkombëtare për ushqime po rritet me ritme shumë të larta, ndërsa në treg së fundmi po vihet re dhe një mungesë oferte. Në këtë pikë produktet bujqësore kanë një treg më se të garantuar, çka po shtyn shumë vende të rishohin edhe një herë politikat e tyre bujqësore, duke adresuar për këtë sektor mbështetje më të mëdha financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›