Biznesit lombard i premtohen lehtësime
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidenti Formigoni po viziton Tiranën me ftesë të Kryetares Topalli. Delegacioni që ai kryeson përbëhet nga përfaqësues të bizneseve të ndryshme të rajonit të Lombardisë, si dhe gazetarë të mediave italiane. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Topalli e vlerësoi vizitën e Formigoni si "një rast shumë të mirë për të rishikuar dhe për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat". Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, ajo vlerësoi si "shumë të rëndësishme rritjen e shkëmbimeve edhe në fusha të tjera me Lombardinë, meqë kjo është një nga rajonet më të rëndësishme të Italisë". Presidenti i Lombardisë ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Bamir Topi.