Legalizimet, Memia kërkon më shumë kompetenca
Komisioni i ligjeve është përfshirë dje në debate të shumta gjatë diskutimit për projektligjin për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj është kundërshtuar nga deputetët e opozitës në komision dhe përfaqësuesi i PR-së, Arjan Madhi. Në këtë projektligj, qeveria kërkon të bërë disa ndryshime duke marrë kompetencat pushtetit vendor dhe duke ia kaluar ato ALUIZN-in. Ky pretendim është kundërshtuar nga opozita dhe republikanët me argumentin se kjo agjensi nuk mund të marrë më shumë kompetenca. Republikani, Arjan Madhi që në fillim të diskutimit të projektligjit i ka kërkuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve Fatos Beja që ta shtyjë diskutimin e këtij projektligji pasi në mbledhje duhet të jenë dhe përfaqësues të ish-pronarëve të drejtat e të cilëve nuk respektohen nga ky projektligj. Pretendim i cili nuk është marrë parasysh nga drejtuesi i komisioni dhe deputetët e mazhorancës. Sipas Madhit para se të mbërrinte në kuvend ky projektligj gjerat ishin zgjidhur mirë ndërsa tani theksoi ai nga qeveria duket një tendencë për ti vështirësuar ato. Qëllimi i paraqitjes së këtij projektligji ka theksuar republikani Madhi nuk më duket i arsyeshëm pasi pengon organizmin e punës për shpërblimin e ish-pronarëve. Gjithashtu ai ka theksuar se në projektligj ka mjaft mangësi dhe pasaktësi në ndryshimet që kërkohet të bëhen, pasi janë hequr afatet, respektimi i të cilave do të bënte të mundur futjen në punë të institucioneve shtetërore, për ti dhënë zgjidhje si kompensimit të pronarëve ashtu edhe legalizimit të zonave informate. Madhi theksoi se në projektligj nuk ka as një afat se kur do tu jepet pronarëve paratë për pronat që u janë zënë dhe që tani quhen zona informate, as edhe sesa para janë mbledhur deri më tani nga procesi i legalizimit, i cili në bazë të premtimeve nga qeveria duhet të kishte përfunduar. Përfaqësuesit e zyrës së ALUIZN-it të cilat kanë qenë të pranishme dje në mbledhjen e komisionit të ligjeve e kanë pasur të pamundur të japin përgjigje pyetjeve të deputetëve me argumente bindëse. Pyetjes se përse kjo agjenci kërkon shtim të kompetencave, ata i janë përgjigjur me argumentin se njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë kapacitete, teknike dhe profesionale për të ndjekur procesin e legalizimit të zonave informate, ndërkohe që kjo agjenci sipas tyre i plotëson këto kritere. Pretendime të cilat nuk janë pranuar nga deputet e opozitës dhe të PR-së në komision. Gjithashtu përfaqësueset e ALUIZN-it nuk kanë mundur të sjellin argumentat e tyre bindëse as për sa i takon pyetjes së deputeteve se deri ku ka vajtuar puna në lidhje me studimet për zonat informate. Deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi gjatë diskutimit të tij në parim u ka kujtuar anëtarëve të komisionit se më e mira do të ishte që në fillim të behej studimi për urbanizimin e zonave informate, pra të duhet ku të kalojë, rruga, kopshti, lulishtja, kanalizimet e ujrave të bardha dhe të zeza dhe më pas të behet legalizimi i tyre. Se ka theksuar ai nëse behet më parë legalizimi dhe më pas urbanizimi, atëherë shteti do ti duhet të kompensoje edhe pronarët real për pronën që u është zënë dhe pronarët e rinj, për ndërtimet që kanë bërë.