E Hënë, 2 Nëntor 2026

Papadhopulli, "Mjeshtër i Madh i Sportit"

Presidenti i Republikës, Bamir
Topi, ka nderuar me urdhrin
"Mjeshtër i Madh i Sportit" legjendën
e futbollit, Miço Papadhopulli.
Vlerësimi për kontributin e rëndësishëm
si lojtar, trajner dhe specialist
është bërë në ditën që ish-presidenti
i Federatës Shqiptare të Futbollit
ka festuar 75-vjetorin e lindjes.
Për këtë rast, në ambientet e hotel
"Internacional" (ku më parë
gjendeshin zyrat e FSHF-së) është
organizuar një festë madhështore,
ku nuk kanë munguar figurat sportive
si Gjergji Thaka, Mehdi Bushati,
Shyqyri Rreli, Sulejman Maliqati e
Bejkush Birçe, donatorët e Tiranës,
përfaqësues të klubit Partizani, por
edhe përfaqësues të qeverisë. Aleksandër
Flloko, sekretari i përgjithshëm
i kabinetit të Presidenti të Republikës
i ka dorëzuar Papadhopullit
urdhrin "Mjeshtër i Madh i
Sportit", të akorduar nga kreu i këtij
institucioni, Bamir Topi. "Presidenti
e vlerëson shumë Miço Papadhopullin,
apo ‘Dajën‘, siç e njohin të
gjithë dhe ky urdhër i jepet për kontributin
që ai ka dhënë për futbollin
në vite", tha Flloko. Ky vlerësim është
përshëndetur edhe nga kreu aktual i
FSHF-së, Armand Duka, që ka
falënderuar Presidentin Topi dhe e
ka cilësuar si "një mesazh për kujdesin
e Presidentit të Republikës për futbollin
në veçanti dhe për njerëzit që
kanë kontribuar në këtë sport". Kreu
i institucionit që drejton futbollin në
vend i ka dhuruar "Dajës" një
pllakatë mirënjohjeje dhe fanellën e
kombëtares me numrin 3.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›