Milani "zbarkon" në Shqipëri për talente
Milani do të fillojë kërkimin
e talenteve në Shqipëri.
Të hënën, datë 17 mars
2008, në Tiranë do të organizohet një
konferencë për shtyp, ku do të prezantohet
projekti i kampionëve të
Evropës në fuqi. Bëhet fjalë për "Milan
Junior Camp Tirana": grumbullime
njëjavore mes sportit dhe
zbavitjes për djemtë e vajzat nga 8
deri në 16 vjeç, që dëshirojnë të
mësojnë sekretet e futbollit nga trajnerët
e seleksionuar nga Akademia
e klubit. Për "Shqip", lajmi është
bërë i ditur nga Françeska Pietra,
menaxhere e marketingut në projektet
e Milanit për të rinjtë. Prezantimi
do të bëhet në ambientet e hotel
"Sheraton", ku i ftuari më i spikatur
do të jetë Daniele Masaro, ishsulmuesi
i skuadrës kuqezi, që tashmë
mban statusin e menaxherit të
marrëdhënieve publike të Milanit.
Rreth këtij projekti, që klubi historik
(dhe mbi të gjitha shumë i dashur
në vendin tonë) do të organizojë, do
të flasin edhe Françeska Pietra,
menaxhere e marketingut në projektet
e Milanit për të rinjtë, Marko
Skembri, menaxher i përgjithshëm i
"World Camp International" e ambasadori
italian në Tiranë, Saba
d‘Elia. Të ftuar janë edhe znj. Liri Berisha,
presidente e fondacionit të
fëmijëve shqiptarë "Domenik
Skalione", Rezart Taçi dhe Lorenco
Ronkari.
"Milan Junior Camp" organizohet
në më shumë se 100 lokalitete
italiane e të huaja dhe aty ofrohen
pushime rezidenciale në vende të
seleksionuara nga klubi milanez. Në
Shqipëri ende nuk është përcaktuar
vendndodhja e saktë, por zakonisht
"grumbullimet" zhvillohen në
lokalitetet më të bukura (malore ose
detare). Programi parashikon qëndrim
7-ditor, nga e diela deri të shtunën
dhe aty kombinohen në
mënyrën më të mirë sporti, zbavitja
dhe ekskursionet. Qëllimi kryesor
është që të rinjtë pjesëmarrës të stërviten
me metodat e përdorura nga
stafi zyrtar i klubit, ndërkohë që
fëmijët e talentuar do të ndiqen me
kujdes edhe në të ardhmen, e mund
të kenë shansin që të bashkohen me
familjen e madhe kuqezi. Vitin e
kaluar, "Milan Junior Camp" është
organizuar në 27 vende të ndryshme
të botës dhe aty kanë marrë pjesë 12
mijë vajza e djem. Filozofia është ajo
e "kultivimit" të talenteve të reja në
vendet e tyre, duke i ndihmuar që
të rriten nëpërmjet mësimeve dhe
disiplinës taktike të ofruara nga trajnerët
e Akademisë së Milanit.
Vetëm pak ditë më parë (më saktësisht
më 6 mars), ky projekt është
prezantuar për herë të parë edhe
në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagën.
Prej më shumë se një
shekulli, Milani është sinonim i futbollit,
spektaklit, pasionit dhe fitoreve:
kuqezinjtë janë klubi që kanë
fituar më shumë trofe ndërkombëtarë.
Që prej vitit 1899, kur është
themeluar, Milani ka fituar 17
tituj kampionë në Itali, 7 Kupa të
Kampioneve, 3 Kupa Interkontinentale,
1 Botëror për Klube, 4 Superkupa
të Evropës, 5 Kupa të Italisë,
5 Superkupa të Italisë dhe 2
herë Kupën e Kupave. Në Danimarkë,
së bashku me përfaqësuesit e
projektit, kishte udhëtuar edhe trofeu
më i fundit i Ligës së Kampioneve,
i fituar në Athinë në maj të vitit
2007, megjithatë nuk dihet nëse
diçka e tillë do të ndodhë edhe gjatë
prezantimit në Shqipëri.