Blater: Më pak lojtarë të huaj në Angli
Presidenti i FIFA-s, Josep Blater, ka bërë të qartë se dëshiron më pak futbollistë të huaj në kampionatin anglez të futbollit. Sipas tij, gjëja më e mirë do të ishte që skuadrat e kategorive kryesore të fillonin ndeshjen me 6 lojtarë anglezë në formacion. Blater është i bindur se kjo do t‘i jepte fund dominimit të katër skuadrave të mëdha në kampionatin anglez. "Në Angli ka 4 apo 5 skuadra që luftojnë për titullin dhe renditjen në Kupat e Evropës. Të gjitha klubet e tjera thjesht luajnë për të mos rënë nga kategoria. Nuk them se është vetëm Anglia kështu, pasi situata të tilla përsëriten edhe në Francë, Gjermani dhe Spanjë. Një lojtar i ri nuk ka shpresa për përfaqësim të shpejtë në elitën e futbollit, pasi trajneri nuk pret rritjen e tyre, por e ka më të thjeshtë të blejë të huaj. Kanë humbur traditat lokale të skuadrave që më parë kishin futbollistë të vetëm një krahine. Tani rrezikohet identiteti kombëtar", tha Blater.