E Diel, 1 Nëntor 2026

Blater: U çudita nga emërimi i Kapelos

Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, ka shprehur publikisht qëndrimin e tij kundër emërimit të një trajneri të huaj për kombëtaren angleze. Pikërisht në ditën e parë të punës, për trajnerin italian në stolin e përfaqësueses britanike, Blater u shpreh se Anglia "kishte thyer një rregull të pashkruar në futbollin ndërkombëtar". Ai ka ftuar anglezët të mendohen mirë para se të bëjnë hapa të tjerë, pasi nuk po ecnin më me ritmet e skuadrave më në zë të botës.

"Nuk e kam parë asnjëherë Italinë, Gjermaninë, Argjentinën apo Brazilin me një trajner të një kombësie tjetër. Në fakt, pjesa më e madhe e skuadrave kanë një trajner nga vendi i tyre", u shpreh 71-vjeçari në një intervistë të dhënë për BBC, ku nuk kurseu as kritikat ndaj kampionatit. Sipas tij, dëshira e klubeve të Premiership për të afruar lojtarë të shtrenjtë nga vende të tjera, ishte arsyeja kryesore që përfaqësuesja angleze nuk përfaqësohej denjësisht në arenën ndërkombëtare, ndërsa deklaroi se lojtarët dhe trajnerët vendas duhej të stimuloheshin më shumë. Gjithsesi, ai e pranoi se Federata Angleze ishte gjendur në një pozitë të vështirë pas largimit të Stiv MekKlaren, pasi kishte pasur shumë pak alternativa angleze me eksperiencën e duhur ndërkombëtare. "Kur unë fillova punën në FIFA në vitin 1975, ish-trajneri i Anglisë, Uollter Uinterbotom, punonte për ne dhe trajnerët anglezë ishin të respektuar në të gjithë botën. Por shikoni tani arenën ndërkombëtare. Cilat ekipe të huaja po drejtohen nga trajnerë anglezë? Në cilat kampionate të huaja po luajnë futbollistët anglezë? Është e qartë se diçka ka ndryshuar në mënyrën se si bota e sheh futbollin anglez", u shpreh Blater.

Fabio Kapelo është trajneri i dytë i huaj që drejton Anglinë, pas eksperiencës pesëvjeçare të suedezit Sven Goran Erikson, paraardhësit të Stiv MekKlarenit të shkarkuar. Ashtu si Erikson, edhe Kapelo ka një CV të shkëlqyer, por nuk ka njohuri aq të mira të gjuhës angleze, e cila, sipas Blater, mund të krijojë një pengesë të madhe. "Është thelbësore që trajneri të dijë gjuhën e vendit në të cilin drejton. Duhet të jesh i aftë që të motivosh lojtarët. Për mua është shumë e çuditshme që atdheu i futbollit ka ndryshuar një traditë të shenjtë, që trajneri i kombëtares duhet të jetë i të njëjtës kombësi si futbollistët", deklaroi Blater. Megjithatë, ai mbylli intervistën e tij, duke mbështetur vendimet e fundit të Federatës Angleze, për të ndihmuar zhvillimin e futbollistëve dhe trajnerëve nëpërmjet ndërtimit të një qendre kombëtare që do të ndërtojë strategjitë për arritjen e këtij objektivi. "Nuk është në dorën time të jap gjykime negative për emërimin e Kapelos, por duhet të them se është një gjë shumë e mirë që Anglia tani po mendon për të ndërtuar shkolla për trajnerë", përfundoi presidenti i FIFA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›