Van Nistelroi, polemika për gjestin pas golit
Fitorja 2-0 e Realit të Madridit ndaj Saragozës është shoqëruar me kritika të ashpra në Spanjë, jo për lojën e dobët që madrilenët shfaqën në këtë sfidë, por për gjestin e sulmuesit Rud Van Nistelroi pas golit të avantazhit. Futbollisti shënoi një gol të shkëlqyer me kokë, por më pas nuk kurseu një gjest të pahijshëm. Sipas vetë futbollistit, ai nuk i drejtohej tifozerisë me veprimin e tij, por ishte një gjë instiktive që nuk i dedikohej askujt. "Unë isha thjesht shumë i lumtur që shënova. Nuk e di kuptimin e vërtetë të gjestit që kam bërë, por nuk kam probleme me asnjë, ndaj nuk po i drejtohesha ndonjërit me veprimin tim", ishin fjalët e futbollistit pas përfundimit të ndeshjes. Sulmuesi ka shpjeguar më pas se nuk kërkonte të ofendonte kundërshtarët apo tifozët, por se e kishte bërë gjestin ndaj vështirësisë me të cilën po përballej Reali i Madridit në këtë sfidë, pasi Saragoza mund t‘i merrte pikë në shtëpi. Por, veprime të tilla në arenën ndërkombëtare janë të dënueshme me kualifikime të gjata, si në rastin e Van Bomel, i cili e bëri një veprim të tillë kur shënoi ndaj Barcelonës. Një gjë e tillë atij i kushtoi 3 ndeshje skualifikim, vendim i cili kërkohet me ngulm nga kundërshtarët e madrilenëve në kampionatin spanjoll. Rivalët në Primera Division kanë bërë të qartë se nuk kanë gjë me futbollistin, por me skuadrën, e cila i lë shpesh futbollistët e saj të bëjnë gjeste të tilla të pahijshme. Ata kanë kujtuar edhe skenën e vitit të kaluar, kur trajneri Kapelo ofendoi tifozët, duke i drejtuar atyre gishtin e mesit.