E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur "kampionët" zbarkojnë në Rinas!

E mbani mend kur Brigel preku Rinasin për herë të parë? I pari presidenti Duka, pastaj gazetarë dhe specialistë që reklamonin gjermanin: "Jemi me fat që në stolin tonë do të ulet një kampion i madh". Dukej sikur kishim dëshirë të ngatërronim Brigelin futbollist me Brigelin trajner. Ndërsa kur vjen Oto Bariç u tha se trajneri është një kampion i stolit, një veteran "maksimum", me të cilin jo vetëm do të ëndërronim. Por, fundi u shfaq aq zhgënjyes, sa krijuam një skenë largimi, në të cilën trajneri Oto ishte më i dështuari. Si të veçantë në Evropë, kalojnë muaj pa trajner, në pritje të një emri që s‘do të zhgënjente më. Ndaj kur u shfaq holandezi Ari Han, sikur kishim dëshirë të dëgjonim një prezantim disi ndryshe. Por prapë është presidenti që godet topin e parë: Ari Han është një kampion që e njohin të gjithë! Një trajner i madh, apo ai futbollisti që afro 30 vjet më parë çuditi botën me dy gola "kilometrikë" në portën e Zofit dhe Majerit?! Siç duket, cilido qoftë trajneri që do të ulet në stolin kuqezi, mjafton të jetë i huaj, meriton të pagëzohet... kampion.

Sipas disave, holandezi nuk është një njeri që tërhiqet pas parave, nuk është as nga soji tjetër që bën lëshime të ndjeshme kur ulet në stolin e një nacionaleje, por një teknik që pëlqen aventurat. Le të shpresojmë se edhe këto që ndodhin midis nesh të pasurojnë karrierën e një "tulipani", i cili pati kurajën t‘i thotë "po" një ekipi që përcolli në mënyrë enigmatike një trajner që në ditët e bukura e quanim "babai i stolit".

Duket se holandezi Han nuk është takuar me Bariçin, para se të mbërrinte në Tiranë. Këtë e zbulon vetë shefi ynë, kur nuk harron frazën bastore "përsëri synojmë vendin e katërt". Pyetja më naive që mund t‘i bënim atij: Atëherë përse na duhet trajneri i huaj? Mijëra euro në muaj për t‘u gënjyer prapë gjatë një sezoni, me pyetjen: Në vend të katërt apo të pestë? Larg qoftë sikur dikush të guxojë të pyesë se çfarë do të ndodhë nëse edhe Malta na befason.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›