Panathinaikos e Kotbus, në garë për Armend Dallkun
Përveç anglezëve të Sundërlend, në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit kosovar, Armend Dallku, kanë hyrë edhe grekët e Panathinaikosit dhe gjermanët e Energie Kotbus. Ndërkohë, edhe Livorno në Serinë A vazhdon të ndjekë me interes zhvillimet rreth lojtarit të Kombëtares. "Panathinaikosi, Kotbusi dhe Livorno janë shumë të interesuara që Armend Dallkun ta transferojnë në radhët e tyre", theksoi menaxheri i lojtarit, Nexhmedin Haxhiu. Gjithsesi, bisedimet me klubin e Premiershipit janë në fazë të avancuar dhe brenda pak ditësh do të vendoset për kalimin e Dallkut në skuadrën që drejtohet nga Roi Kin. "Gjatë këtyre ditëve do të takohemi me drejtuesit e Sundërlendit dhe aty do të vendoset për transferimin e Dallkut", vazhdoi menaxheri. Kontrata e mbrojtësit 25-vjeçar me ukrainasit e Vorskla Poltavës përfundon në verë. Ai ka refuzuar rinovimin, pasi pretendon kalimin në një prej kampionateve të rëndësishëm në "kontinentin e vjetër".