Kryegjyqtari: Kujdes me dhënien e masës së sigurisë
Është zhvilluar dje analiza vjetore e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, ku merrte pjesë dhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit vuri në dukje se nëpërmjet analizave synohet të nxirren produkte që do t‘i shërbejnë KLD-së për hartimin e planeve të punës për zhvillimin e reformave dhe ndryshimeve pozitive. Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër, Fatmir Hoxha, është shprehur se për vitin 2007 janë regjistruar 1361 çështje, janë gjykuar 1109 çështje, me 343 akuza, ku 257 penale dhe 552 çështje të tjera. Numri total i çështjeve është më i madh se viti 2006, me 32 çështje më shumë. Kanë ardhur për rigjykim nga Gjykata e Lartë 20 çështje. Gjatë analizës ra në sy dhe dhënia e shumë dënimeve të dhëna në mungesë, çka ngarkon me përgjithësi policinë veriore, për mosarrestim autorësh. Kështu, për vitin 2007, nga Gjykata e Apelit janë gjykuar 47 çështje me krimin e vrasjes, me 62 të pandehur, nga të cilët vetëm 28 të arrestuar. Nga drejtues të Gjykatës së Apelit Shkodër është kërkuar nga organi i akuzës që kërkesat e tyre të shoqërohen me prova në dhënien e masës së sigurisë, pasi në disa raste masat e sigurimit vendosen vetëm për efekt të rrezikshmërisë së veprës penale, e pashoqëruar kjo me prova.