E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen në Morin dy të kërkuar

Policia lokale e Kukësit ka ndaluar dje dy persona, të cilët akuzoheshin për veprat penale të vjedhjes dhe dezertim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Flamur Kalvari, 25 vjeç, nga Shkodra u ndalua në Morin në orën 23:30 teksa hynte nga Kosova në Shqipëri gjatë një kontrolli rutinë, pasi sistemi elektronik i kontrollit e identifikoi atë si person në kërkim. Burime të policisë thanë se personi në fjalë kapet për llogari të policisë së Shkodrës për akuzën e vjedhjes, por nuk jep të dhëna të tjera dhe as specifikon se për çfarë vjedhjeje bëhet fjalë. Gjithashtu, po dje në Morin u ndalua edhe një shtetas tjetër me emrin Sokol Varoi, 25 vjeç, nga Shëngjergji i Tiranës, pasi ishte dënuar nga gjykata e këtij rrethi me 5 muaj heqje lirie në mungesë për akuzën e dezertimit nga ushtria. Shënojmë faktin që të dy të ndaluarit po hynin nga Kosova ku duhet të kenë depërtuar nëpërmjet kufirit të gjelbër ose nëpërmjet pikave që nuk kanë sistem kontrolli elektronik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›