"Lumë" kërkesash për dëmshpërblim
Tani që ministri është nga radhët e tyre, të përndjekurit duket se janë bërë më optimistë se do të marrin dëmshpërblimet për vuajtjet e kaluara nëpër burgje gjatë regjimit komunist. Një lumë kërkesash duket se ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë nga kjo shtresë, e cila shpesh ka ngritur zërin për atë që e ka konsideruar si padrejtësi që po bë politika aktuale ndaj saj. "Që prej fillimit të këtij viti, në zbatimi të ligjit ‘Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist‘, në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar 936 kërkesa për dëmshpërblim", tha dje zëdhënësja e këtij dikasteri, Migen Demirxhi. Ajo ka sqaruar të gjithë procedurën që ndiqet për t‘ju përgjigjur në kohë kërkesave të shumta, që sipas shifrave i korrespondojnë një mesatareje prej rreth 16 kërkesash në ditë.
Mosnjohja e legjislacionit duket se u ka krijuar probleme edhe të përndjekurve. Nga të dhënat zyrtare duket se pjesa me e madhe e aplikuesve nuk e njohin mirë ligjin e miratuar nga Parlamenti dhe për këtë arsye kërkesat e tyre kanë mangësi dokumentacioni. Për këtë arsye punonjësit e ministrisë janë detyruar të rikthejë dosjet në mënyrë që ato të plotësohen me materialet që mungojnë. "Ministria e Drejtësisë u ka kthyer përgjigje për plotësim dokumentesh 380 kërkesave, të cilat ishin me mangësi në dokumente dhe për këtë shkak, bazuar në nenin 24 të ligjit të sipërpërmendur, është kërkuar plotësimi i dokumentacioneve", thotë Demirxhi. Por ka edhe kërkesa të cilat nuk kanë bazë ligjore, apo janë jashtë kritereve të përcaktuara nga ligji. Në këtë rast, atyre u është kthyer përgjigje negative. Sipas zëdhënëses së ministrisë, 28 kërkesave iu është kthyer përgjigje negative, sepse ishin bërë nga persona që nuk u takon e drejta sipas ligjit, "pra janë jashtë rrethit familjar të përcaktuar nga ligji, si dhe nga persona që nuk kanë marrë dënim të padrejtë për efekte të ligjit".
Ndërkaq, nga ana e ministrisë është përgatitur relacioni për 11 kërkesa, të cilat kanë kaluar për shqyrtim në themel dhe janë gati për të kaluar për llogari të masës së dëmshpërblimit. Pjesa tjetër e kërkesave të paraqitura nga të përndjekurit po kalon në një proces verifikimi paraprak brenda afatit 10-ditor të vendosur nga ligji. Ministria e Drejtësisë duket se i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij problemi. Vetë kreu i këtij dikasteri, Enkelejd Alibeaj, është takuar pak kohë më parë me drejtues të shoqatave të të përndjekurve, duke u kërkuar atyre ndihmë për t‘u shpjeguar ligjin anëtarëve të tyre. Ai i ka siguruar se do të ndiqte me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që kërkon ligji, si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë, nga i cili do të përfitojnë vetëm ata persona dhe familjet e tyre që janë ish të dënuar politikë të regjimit komunist.