E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: KLD, aksion policesk ndaj gjykatave

Opozita akuzon KLD-në se po dëmton imazhin e gjykatave. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, Ylli Manjani, e cilësoi "maratonën e drejtësisë" si aksion policesk. Sipas tij, ka rreth një javë që në njoftimet mediatike po zënë vend gjyqet publike që po u bëhen gjyqtarëve dhe gjykatave të Republikës nga Kreshnik Spahiu, i cili tashëm kryen detyrën e nënkryetarit të KLD-së. Manjani vlerësoi se këto shfaqje të shëmtuara publike, të dizajnuara me një stil thellësisht komunist, pasi të kujtojnë gjyqet publike të ish-kooperativave bujqësore, nuk bëjnë gjë tjetër, por shtojnë mosbesimin e shqiptarëve te gjykatat e tyre. Ai theksoi se me këtë rast, për asnjë çast dhe në asnjë kuptim ky deklarim i sotëm nuk synon të mbrojë ndonjë shkelës ligji apo të korruptuar në radhët e gjyqësorit shqiptar. "Përkundrazi ne jemi të shqetësuar, se gjyqe të tilla do ta fshehin korrupsionin e paaftësinë gjithnjë e më thellë. Askush më parë, përveç komunistëve fanatikë, nuk ka bërë këtë diskretitim të figurës së gjyqtarit dhe të shtetit në tërësi, siç po bën sot lideri i ri i KLD-së", tha Manjani. Socialistët mendojnë se askujt nuk i duhet sherri publik ndërmjet gjykatësish, siç ishte rasti i Gjykatës së Sarandës pak ditë më parë, ku para syve të Kreshnik Spahiut, dikush u bë hero, e dikush viktimë dhe në fund asnjëri nuk del fajtor, i paaftë apo i korruptuar. Ndërsa kujtoi se Kushtetuta e vendit dhe Gjykata Kushtetuese kanë vendosur kufij të qartë për inspektimin gjyqësor dhe për matjen e punës së gjyqtarit. Sipas kësaj praktike kushtetuese, shtoi ai, pra të detyrueshme edhe për KLD-në, askush përveç gjykatave më të larta nuk kanë të drejtë të konstatojnë drejtësinë e vendimeve të thëna.

Ndërkaq, pak orë më vonë KLD-ja reagoi ndaj akuzave nëpërmjet shefit të projekteve, Erlis Themeli, i cili deklaroi: "Dinamika e vendimmarrjes dhe e aktiviteteve të KLD-së janë përmbushje e angazhimeve kushtetuese dhe në respektim të plotë të të gjitha kompetencave që ka ligji. KLD është autoriteti i cili mbron, inspekton dhe promovon gjyqtarët. Sistemi gjyqësor është pushtet i pavarur nga politika, si dhe nga pushtetet e tjera, por njëkohësisht është pushtet llogaridhënës përpara ligjit dhe autoritetit të tij kontrollues".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›