Prokuroria, hetim vendimeve të Hipotekës
Seksioni i krimit ekonomik, i pagëzuar si "Task-Forca kundër informalitetit" në Prokurorinë e Tiranës, prej fillimit të funksionimit të tij në datën 1 shtator 2007, ka marrë në dorëzim nga Prokuroria e Përgjithshme denoncimet e qytetarëve të shumtë ndaj hipotekave. Midis tyre ishte edhe një banor nga Tirana, i cili pretendonte se pronën e tij në Rrugën e Kavajës, disa zyrtarë të zyrës qendrore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, i falsifikuan dokumentet, duke kaluar truallin një personi tjetër. Pas denoncimit, grupi hetimor verifikoi nëpunësit e dyshuar, duke i mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim, ndërsa urdhëroi arrestimin e tyre. Ata janë Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto, me punë specialistë në zyrën qendrore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Pas mbledhjes së fakteve rreth këtij rasti, grupi hetimor ka vazhduar më tej me verifikimin e regjistrimit të pronave, kryesisht truall, gjatë dy viteve të fundit. "Regjistrimi i pronave gjatë dy viteve të fundit në Hipotekën e Tiranës, kryesisht truall, do t‘i nënshtrohet një verifikimi nga prokuroria, pas arrestimit të disa nëpunësve të Hipotekës", thanë burimet nga Task-Forca. Sipas tyre, Task-Forca, do të sekuestrojë dosjet e të arrestuarve, pasi dyshohet se kanë abuzuar me mbivendosjen e pronave, falsifikimet e dokumenteve dhe tjetërsimet e pasurive. Pritet që disa zyrtarë të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të përballen me organin e akuzës, për punën e kryer vitet e fundit. Hetuesit thanë se do të verifikojnë ankesat dhe denoncimet e qytetarëve për regjistrimin e pronave.
Prokurorë dhe hetues të Taks-Forcës pritet që në ditët në vazhdim të marrin dokumentet e para në zyrat e Hipotekës. Pothuajse të gjitha vendimet e dy viteve të fundit në Tiranë do të vihen në "sitë" nga organi i akuzës. Nëse konstatohen elementë të veprës penale, atëherë drejtuesit dhe ish-drejtuesit krahas të arrestuarve, do të vihen para përgjegjësisë ligjore. Një nga problemet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë nga mbivendosja e pronave, si dhe sipërfaqet e padeklaruara qartësisht në dokumentacionin e pronarëve të vjetër. Përfituesit abuzivë të këtyre vendimeve i kanë shitur e rishitur trojet e përfituara, ndërsa blerësit me të drejtë kërkojnë të hipotekojnë pasuritë e patundshme të blera.
Prokuroria tha dje se do të sekuestrojë raportet e Ministrisë së Drejtësisë për shkeljet e konstatuara nga kontrolli i inspektorëve në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ky kontroll u evidentua se qytetarët prisnin në radhë të gjata para sporteleve pa mbaruar punë. Ata ankoheshin për gabime në harta dhe regjistrime të zonave, regjistrime të pasurisë pa plotësuar kriteret ligjore etj. Mësohet se regjistrat e punonjësve të këtij dikasteri dhe kartelat janë kontrolluar me imtësi, pasi dyshohej se ka shumë shkelje të bëra nga punonjësit e këtyre zyrave. Vonesat e shkaktuara në këto zyra për mosregjistrimin e pasurisë, janë cilësuar edhe nga ekspertët si një problem i madh që pengon shitblerjet e tokës, shtëpive, ndërtimet e reja, pengon procesin e kreditimit e në këtë mënyrë është një pengesë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.