E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohen me errësirë, edhe pse paguajnë

Një konflikt mes drejtorit të KESH-it në Korçë me një firmë private lë pa energji elektrike banorët e një pallati. Prej tri ditësh, 15 familje kanë qëndruar në errësirë të plotë, ndërsa edhe pse në prag festash rrezikojnë të mbeten pa energji. "Kështu do të ngelen, pa energji, pasi janë të parregullt. Energjinë le t‘ua sigurojë firma që ka bërë pallatin. Ashtu si ju siguron edhe shërbimet e tjera", ka thënë drejtori i filialit të KESH në Korçë, Gëzim Hoxhalli. Ai thotë se ky shërbim duhet të zgjidhet nga firma private, ndërsa nga ana tjetër banorët që kanë shkuar edhe në zyrën e drejtorit, kanë marrë përgjigje negative. Ata bëjnë të ditur se deri më tani kanë pasur energji për një periudhë gjashtëmujore dhe kanë qenë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve ndaj KESH-it. "Nuk na intereson fare se çfarë problemesh ka KESH me firmën. Po ka të tilla le t‘i zgjidhin në gjykatë. Ne duam të na lëshojë dritat, pasi në gjysmë viti sa kemi harxhuar kemi paguar rregullisht faturat dhe s‘kemi pse të ndëshkohemi tani që është dimër dhe për më tepër në periudhë festash. Edhe festën e Bajramit e kemi kaluar në errësirë, kur i gjithë qyteti kishte 24 orë energji", thotë K.B. Një 46-vjeçare që banon në pallatin e ri. Por nga ana e tij, drejtori Gëzim Hoxhalli pretendon se energjinë banorët e kanë marrë kur firma ka kryer lidhje të jashtëligjshme për t‘u siguruar atyre drita. Kjo mohohet nga ana e banorëve, të cilët deklarojnë se për sa kohë që u kanë shkuar faturat dhe ju janë mbajtur paratë, kjo tregon se nga ana e KESH është rënë dakord me firmën për lidhjen me sistemin furnizues të energjisë. Në rast të kundërt, banorët do të quheshin hajdutë ose debitorë dhe KESH duhet të ndërpriste këtë lidhje që e konsideron të paligjshme, pasi do ishte vjedhur energjia elektrike dhe nuk do ishte bërë asnjë pagesë. Por drejtori i KESH thotë se "Banorët kanë marrë energji me një lidhje të paligjshme dhe për këtë do të ndëshkohen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›