FMN po ikën me kokën prapa
fabiola Çela
Ulja e deficit buxhetor ishte amaneti i fundi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjatë një deklarate për mediat, shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell ka dhënë një mal me këshilla për qeverinë shqiptare. FMN ka rekomanduar që të mos ulet taksa e sigurimeve shoqërore, si dhe të mos përdoren më pagat e referencës për biznesin. Privatizimi i OSSH-së nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Fondit, për të cilin është vënë në dukje sërish niveli i ulët i arkëtimeve.
Deficiti
Vitin e ardhshëm përfundon marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së. Kjo do të thotë së Fondi nuk do të kalojë më në skanerin e saj buxhetin apo reformat fiskale, që do të ndërmarrë qeveria në të ardhmen. Por përpara mbylljes së misionit, drejtuesit e saj i kanë kërkuar me ngulm qeverisë, që të ketë kujdes deficitin buxhetor. Shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell, në deklaratën e tij i ka këshilluar qeverisë, që të rishikojë më kujdes shpenzimet aktuale. Edhe këtë vit qeveria ka një shumë të konsiderueshme parash për investime, por realizimi i tyre duhet të jetë më i lartë. Për këtë arsye qeveria duhet të shikojë imtësi shpenzimet aktuale dhe nëse, është e nevojshme të hartojë një buxhet të tretë suplementar.
Taksat
Ulja e taksave nuk është mënyra e duhur për të ulur informalitetin. Shefi i misionit të FMN-së i ka rekomanduar qeverisë, që të mos ulë taksën e sigurimeve shoqërore për biznesin. Ai ka theksuar se qeveria duhet të ndërmarrë masa të tjera që nxisin vetëdeklarimin e biznesit. Madje, ai ka rekomanduar që të mos nxirren udhëzime administrative, që bëhen barrë për biznesin. Një vit më parë qeveria nxori një udhëzim, me anë të së cilit përcaktoi pagat e referencës për biznesin si një mënyre kjo për të nxitur biznesin, që të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre. Por një udhëzim i tillë nuk u prit aspak mirë nga komuniteti i biznesit. Por pavarësisht kundërshtimeve të sipërmarrësve një udhëzim i tillë vazhdon të mbetet në fuqi.
OSSH
Më 29 shtator do të zhvillohet tenderi për privatizimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH). Pak ditë para zhvillimit të tenderit, shefi i misionit të FMN-së i ka rekomanduar, që të rritet niveli i arkëtimit të energjisë pasi pavarësisht punës së bërë, niveli aktual i arkëtimeve është sërish i ulët. Privatizimi i OSSH-së mbetet një ndër proceset më të rëndësishëm. Vetë ndërkombëtarët e kanë kërkuar me ngulm privatizimin e këtij sektori, si e vetmja mënyrë për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji të konsumatorëve.
Këshillat e FMN-së
Shpenzimet kapitale janë ende poshtë nivelit të planifikuar në buxhet dhe me ritmin aktual deficiti buxhetor në 2008 do të jetë më poshtë, sesa niveli 5.2% i PBB-së i rënë dakord. Pozicioni më i shtrënguar fiskal ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë për të siguruar stabilitetin e çmimeve dhe ka kufizuar zgjerimin edhe më tej të deficitit të llogarisë korrente, por nga ana tjetër kjo rrezikon rrudhjen e fondeve për sektorët prioritarë. Për këtë arsye, misioni i bën thirrje autoriteteve të rishikojnë me kujdes shpenzimet aktuale për të siguruar, që do t’i kushtohet rëndësi e mjaftueshme investimeve në sektorët prioritarë, po qe e nevojshme nëpërmjet një tjetër buxheti suplementar.
Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, sidomos në klimën aktuale të trazuar në mjedisin financiar botëror, është e domosdoshme të evitohet stimuli fiskal në 2009. Në situatën aktuale, ne kemi rekomanduar kufizimin e deficitit në 2009 në nivelin 3–3 ½ për qind e PBB-së. Në të ardhmen dhe pasi programi i FMN-së të ketë përfunduar, ne i inkurajojmë autoritetet, që t‘i përmbahen një objektivi të qartë fiskal, që do të ankorojë politikat dhe do të ndihmojë në aksesin e synuar në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Ne i mbështesim rregulloret e miratuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë për mbikëqyrje shtesë bankare, sidomos rritjen e provigjionimit për huanë në valutë, të cilat duhet të ndihmojnë për të frenuar rritjen e kredisë dhe deficitin e llogarisë korrente. Në të ardhmen, ne e inkurajojmë Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë monitorime edhe më të shpeshta të transaksioneve bankare, përfshirë këtu edhe pozicionet në valutë. Banka e Shqipërisë duhet gjithashtu, të vazhdojë përpjekjet për të vendosur memorandume mirëkuptimi me mbikëqyrësit në vendet e bankave mëmë.
Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është një qëllim i rëndësishëm. Megjithatë, kjo nuk duhet bërë duke u mbështetur në masa administrative, që janë barrë dhe shtojnë mundësinë për abuzivizëm dhe korrupsion. Përkundrazi, masa që nxisin vetë-deklarimin janë të nevojshme. Ne do të rekomandonim që lufta kundër informalitetit këtej e tutje duhet të bazohet më shumë te masat, që nxisin vetëdeklarim, sesa te udhëzimet administrative që bëhen barrë për biznesin dhe që shtojnë mundësinë për korrupsion. Në këtë kontekst, ne jemi kundër uljes së kontributeve për biznesin. Më shumë reformë duhet të bëhet tek pensionet për të bërë një lidhje më të mirë mes kontributeve dhe përfitimeve.
Ka pasiguri të mëdha, përsa i përket të dhënave të llogarive kombëtare dhe ne e nxisim INSTAT-in, të vazhdojë të përdorë mirë asistencën teknike të huaj, që është e disponueshme në këtë fushë.
Misioni mirëpret fillimin e procesit të privatizimit për kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Pavarësisht nga ky proces, do të jetë e rëndësishme që të ruhet përqendrimi dhe të vazhdohet me përmirësimin e treguesve të arkëtimeve dhe humbjeve, pasi megjithë progresin e bërë kohët e fundit, arkëtimet mbeten poshtë nivelit objektiv, duke reflektuar pjesërisht edhe mospagesën nga institucionet publike.
Për të kufizuar humbje të reja për KESH-in dhe në përputhje me programin aktual PRGF/EFF, është mjaft e rëndësishme, që kufizimet ekzistuese në sasinë e importeve të respektohen.
Përplasja për rritjen dyshifrore
Vetëm pak ditë pas deklaratës së kreut të qeverisë se rritja ekonomike e vendit do të jetë dyshifrore, një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ministri i Financave. “INSTAT ka përllogaritur dy tremujorët e parë të këtij viti dhe ka dalë në ato përfundime që janë bërë publike. Pra, janë dyshifrore”, ka thënë ministri. Por, nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar përmirësimin e cilësisë së të dhënave që publikon Instituti i Statistikave. “Ka pasiguri të mëdha përsa i përket të dhënave të llogarive kombëtare dhe ne e nxisim INSTAT-in të vazhdojë të përdorë mirë asistencën teknike të huaj që është e disponueshme në këtë fushë”, është shprehur dje Shefi i Misionit të FMN-së, Bell. INSTAT është institucioni që mat në mënyrë analitike rritjen ekonomike të vendit. Për rrjedhojë, të dhënat që publikon ky institucion janë shumë të rëndësishme, pasi ato duhet të tregojnë në mënyrë reale dhe të saktë rritjen ekonomike të vendit.