Ushtarakët e NATO-s, takime në Durrës
Drejtues të lartë të Grupit të Dytë Detar të NATO-s, anijet e të cilit ndodhen për një vizitë miqësore në Portin detar të Durrësit, kanë zhvilluar ditën e djeshme disa vizita në institucionet përfaqësuese të pushtetit vendor dhe qendror të qytetit bregdetar. Gjatë vizitave në Prefekturën dhe Bashkinë e Durrësit ata janë njohur me jetën e qytetit, realitetet, problematikën dhe zhvillimin e tij. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, priti në mesditë në zyrën e tij komandantin e Grupit të Dytë Detar të NATO-s, kundëradmiral Sinan Ertugru dhe drejtues të tjerë të grupit, duke u uruar mirëseardhjen në qytetin bregdetar me një histori të lashtë. Dako u ndal dhe në kontributin e forcave të NATO-s në drejtim të rritjes së kapaciteteve dhe modernizimit të forcave tona ushtarake. Ai tha se kjo vizitë shpreh mbështetjen e NATO-s për vendin tonë dhe anëtarësimin e saj në strukturat euro-atlantike. Nga ana e tij, komandanti Ertugru falënderoi për mikpritjen që u kanë rezervuar qytetarët e Durrësit ekuipazheve të pesë anijeve të Grupit të Dytë Detar të NATO-s. Dako dhe prefekti Klodian Pajuni në takime të veçanta, pasi kanë bërë një përshkrim të shkurtër të qytetit dhe Qarkut të Durrësit si dhe resurseve të tij, kanë shprehur në emër të bashkëqytetarëve durrsakë mirënjohjen për misionin e NATO-s për Kosovën në vitin 1999. "Kalimi i trupave të NATO-s nga Durrësi e ka kthyer qytetin tonë në një tjetër urë lidhjeje mes shqiptarëve dhe NATO-s", tha kryebashkiaku Dako, duke vlerësuar faktin se Durrësi ka një port shumë të rëndësishëm dhe qyteti përbën portën e Ballkanit për në Evropë. Kreu turk i Grupit II Detar Ertugru tha se ndjehet i privilegjuar që ndodhet në Durrës në krye të një misioni ushtarak, siç është programi i vizitave portuale. Kundëradmirali u dhuroi drejtuesve të Prefekturës dhe Bashkisë së Durrësit krestin-simbol të Grupit të Dytë detar të NATO-s. Në Portin e Durrësit janë ankoruar që nga dita e shtunë disa fregata dhe anije ushtarake të Turqisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë Greqisë dhe Italisë.