Bombat në mjediset shkollore, pa autor
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pezulluar hetimet për dy bombat artizanale të gjetura para Fakultetit Ekonomik dhe atij Politeknik. Hetuesit konfirmuan se ata ishin bërë nga e njëjta dorë, por nuk ka mundur të gjejë provat përkatëse për autorët e vendosjes së tyre. Dosjet kanë kaluar në polici, në pritje të rimarrjes së provave, me qëllim zbardhjen e atentateve pranë mjediseve shkollore. "Pas rishikimit të fakteve të mbledhura nga policia, menjëherë pas gjetjes dhe lokalizimit të dy bombave artizanale është fiksuar në procesverbalet e përpiluar nga oficerët e policisë gjyqësore, faktet që thuajse janë identike në ndërtimin e bombave. Bombat e gjetura pranë hyrjes së Fakultetit Ekonomik në kryeqytet kanë disa elemente të njëjta me atë të gjetur pranë Universitetit Politeknik. Kjo ngjashmëri është fiksuar në procesverbal, ku përshkruhen disa sfera dhe gozhda të lidhura me një lloj eksplozivi, sipër tyre një orë e vogël zgjimi që qëndronte e fiksuar me anë të disa telave, si dhe vendosjen në qese dhe para hyrjes së fakulteteve", thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këto elemente të përshkrimit të bombave artizanale lënë për të dyshuar se janë ndërtuar nga e njëjta dorë, që mendohet se mund të jetë e një profesionisti ushtrie. Dosja e ardhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përbën brenda fashikullit hetimor vetëm disa procesverbale të këqyrjes së vendeve të ngjarjes, ku janë gjetur bombat. Por, sipas burimeve nga ky institucion, thuhet se pas rimarrjes në pyetje të punonjësit të firmës private që punonin si roje pranë këtyre godinave, nuk janë zbuluar të dhëna që do të hidhnin dritë mbi mënyrën dhe qëllimin e vendosjes së tyre. Në datën 29 maj, studentët e Universitetit Politeknik dhe Fakultetit Ekonomik në kryeqytet janë përfshirë në panik, pasi në ambientet e tyre janë gjetur thuajse në të njëjtën kohë dy bomba të prodhuara në mënyrë artizanale, gati për të shpërthyer. Një mekanizëm në formën e një mine me sahat është gjendur nga roja i ndërtesës në ambientet e brendshme të Fakultetit Ekonomik, ndërsa në shkallët e Korpusit Universitar, një nga pastrueset ka gjetur një qese me lëndë eksplozive të paidentifikuar.