E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma ekonomike, dëbohen nga skema 18 mijë familje "të pasura"

Nga skema e ndihmës ekonomike janë përjashtuar plot 18 mijë familje gjatë këtij viti. Një lajm i tillë bëhet i ditur nga Shërbimi Social Shtetëror. Përfaqësuesit e tij zyrtarë njoftojnë se pas inspektimeve të kryera në njësitë e qeverisjes vendore për shpërndarjen e ndihmës ekonomike për familjet e varfra janë vënë re një seri abuzimesh. "Në periudhën janar-nëntor 2007, Shërbimi Social Shtetëror ka ushtruar 465 inspektime, përmes të cilave ka larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 10000 familje abuzuese, me një efekt financiar 19500000 lekë, si dhe janë konstatuar rreth 1320 raste me pagesa të padrejta të personave me aftësi të kufizuar me një efekt financiar 16800000 lekë", sqaron SHSSH. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, për të gjitha rastet flagrante të shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore janë propozuar masa për personat përgjegjës në përputhje me legjislacionin në fuqi. "Në total, për të gjitha rastet e konstatuara, janë propozuar 14 largime nga puna, 42 gjoba, 122 vërejtje, si dhe është lënë detyrë kthimi i përfitimeve të padrejta për shumën 14400000 lekë", shtohet më tej në qëndrimin zyrtar të SHSSH-së. Ndërkohë që SHSSH pohon se
është vënë re edhe heqja nga vetë njësitë e qeverisjes vendore, e një numri të konsiderueshëm familjesh nga skema e ndihmës ekonomike, të cilat sipas tyre e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë pagesën e masës së ndihmës ekonomike. Një gjë e tillë, shprehen ata, ka sjellë rritjen e masës së ndihmës ekonomike për familjet në nevojë që plotësojnë realisht kriteret e përfitimit të kësaj pagese. Largimi i 18000 familjeve nga skema e asistencës përkthehet ndryshe në reduktimin e abuzimeve me rreth 16% të familjeve në total, që janë përfshirë në këtë skemë në fillim të vitit 2007. Në total, numri i familjeve përfituese nga kjo ndihmë është rreth 114000 familje. "Ky reduktim i skemës së ndihmës ekonomike në rreth 16%, si 11-mujor për vitin 2007, jo vetëm që shkon në korrelacion, por dhe i trefishon objektivat në lidhje me uljen në masën 5% për vitin 2007 të familjeve abuzive që përfitojnë në mënyrë të padrejtë pagesën e ndihmës ekonomike", kanë theksuar drejtuesit e Shërbimit Social Shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›