E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Policise, leter Nishanit: Duam rrogen e 13-te

Sindikata e Policisë kërkon rrogën e trembëdhjetë për të gjithë efektivët, ashtu siç e parashikon ligji. Një kërkesë e tillë është bërë nga kreu i sindikatës, Sabedin Fishta, i cili e ka dorëzuar në Ministrinë e Brendshme para pak ditësh. Burimet bënë të ditur se shumë prej punonjësve të policisë, ashtu si edhe vetë drejtuesit e sindikatës së tyre, nuk janë të kënaqur me heqjen e rrogës së trembëdhjetë të vitit. Sipas ligjit, punonjësit e Policisë së Shtetit punojnë gjashtë ditë në javë dhe jo pesë ditë si e gjithë administrata shtetërore. Në këto kushte, për ta është vendosur me ligj që të përfitojnë një rrogë të trembëdhjetë çdo fundviti. Por, këtë vit, me vendim të Këshillit të Ministrave u hoq një shpërblim i tillë. Qeveria shqiptare vendosi që e gjithë administrata, pjesë e së cilës është edhe policia, të shpërblehet me dhjetëmijë lekë. I njëjti fat erdhi edhe për të gjithë punonjësit e policisë. Në këto kushte, atyre iu hoq e drejta për të marrë rrogën e trembëdhjetë të vitit. Kështu, duke ditur se me ligjin e ri të Policisë së Shtetit lejohet edhe sindikata e tyre, disa prej punonjësve të Policisë së Shtetit u paraqitën pranë saj dhe parashtruan ankesat e tyre mbi këtë fenomen. Drejtuesit e sindikatës dhe juristët e saj vlerësuan këto ankesa dhe vunë re se sipas ligjit ishte e drejta e tyre për rrogën e trembëdhjetë të vitit. Kështu, Sindikata e Policisë së Shtetit përgatiti një kërkesë për Ministrinë e Brendshme dhe para pak ditësh ia dorëzoi autoriteteve të këtij dikasteri. Në këtë dokument kërkohej që Ministria e Brendshme të paguante rrogën e trembëdhjetë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, siç parashikohet në ligjin e Policisë së Shtetit. Megjithatë, kjo kërkesë ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme. Pavarësisht se ditët po kalojnë dhe fundi i vitit po afrohet, asnjë zyrtar nuk ka menduar se çfarë do të bëhet me rrogën e trembëdhjetë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Siç duket, Policia e Shtetit nuk do i gëzojë atributet e saj në këtë fund viti, ashtu siç ekspertët e kanë parashikuar në ligjin e ri të këtij organi zbatues. Në fillim të këtij muaji, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mori shpërblimin prej dhjetëmijë lekësh, të përcaktuar me vendim qeverie. Por, edhe ky shpërblim u mor në masën nëntëmijë lekë, për arsye se të gjithë punonjësve të policisë iu është mbajtur taksa e sheshtë në vlerën 10%. Ndërkohë, shërbimet e policisë nuk kanë përfituar gjatë muajve të fundit edhe shpërblimet për punën e kryer gjatë detyrës, ashtu siç parashikohen në rregulloren e brendshme të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›